Google ADS

Veliaj: Do punoj 24/7 për mandatin e tretë të PS dhe Edi Ramës

16:00 | 12 Korrik 2020
Arbresh.info

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar dje nga Fondacioni “Qemal Stafa”, në ceremoninë e certifikimit të trajnerëve të rinj, ku u shpreh se Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama janë gati për një mandat të tretë qeverisës.

Ai theksoi se rezultatet në këto 8 vite qeverisje e nxjerrin PS-në forcë të parë, ndërsa shtoi se gara e radhës është me veten, për t’u përmirësuar edhe më shumë.

“Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe unë do të punoj 24/7, që Partia Socialiste dhe Edi Rama të fitojnë mandatin e tyre të tretë. Mandati i tretë do të ishte historik sepse në Shqipëri, në 30 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që një forcë politike të mandatohet tre herë radhazi. Unë besoj se i kemi të gjitha argumentat për të kërkuar një mandat të tretë, jo pse opozita është e shpartalluar, porse në 8 vjet jemi partia numër një, e padiskutueshme, garën e kemi me veten. Por, ca gjëra mund t’i bëjmë shumë më mirë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vijoi se vendimi për listat e hapura është më i rëndësishëm, pasi kështu janë qytetarët ata që vlerësojnë një kandidat për deputet.

“Vendimi më i rëndësishëm është ai i hapjes së listave. Po të shikoni sot, ka shumë njerëz që më thonë: Ore, ç’është kjo frymë e sharjes dhe vulgaritetit? Është mëse normale kur fatin për sukses në listë ta cakton Saliu apo kushdo tjetër; atëherë ti nuk mendon fare për elektoratin, por mendon që elektorati është vetëm ky që të fut në listë: nëse ai është i kënaqur, ti je lart në listë, nëse është i pakënaqur, ti je poshtë në listë”, shtoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili është njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së PS, u shpreh se propozimi i PS-së, në fakt, është propozim i shumicës dërrmuese të Shqipërisë.

“Mbi 80% e njerëzve duan hapjen e listave. Unë besoj se ky është rasti tipik, kur një parti e madhe i shkon pas popullit, dhe nuk e detyron opinionin publik, t’i shkojë pas partisë. Përqafimi i listave të hapura, së pari do e bëjë debatin më civil dhe nuk do kemi këtë garën e televizioneve çdo natë, kush thotë ndyrësitë dhe poshtërsitë më të mëdha për armikun, sepse do mendosh se po të gjykon populli, i cili do të japë edhe renditjen në listë, dhe jo shefi i partisë”, nënvizoi Veliaj.

Mandej, ai theksoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur dhe shprehu besimin se me një fushatë pozitive dhe lista të hapura, një mandat i tretë për PS-së nuk është tabu. “Kemi nevojë të ecim më shpejt. E di që ca njerëz më thonë: “Lali, ule pak ritmin, se na zuri”. Por, kemi humbur shumë kohë dhe duhet të rikuperojmë shpejt, sepse po të kishim punuar 30 vite me këtë ritëm, do ishim shumë më mirë sot”, tha Veliaj.

Ai shtoi se vendii i duhet një fushatë pozitive, me energji të mirë, me lista të hapura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme