Vazhdon ora policore, s’ndryshojnë masat kundër Covid-19 në Shqipëri

12:58 | 25 Shkurt 2021
S D

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshojë masat për kufizimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Ora policore do të vijojë të jetë ora 20:00, me përjashtim të rasteve emergjente. Shkollat e mesme do të vijojnë të mbeten online, edhe universitetet, përveç provimeve që do të jenë të alternuara.

Kryetarja e komitetit, Mira Rakacolli, gjithsesi tha se situata mbetet delikate, por shifrat tregojnë se gjendja ka qenë e qëndrueshme. “Kemi një tendencë uljeje dhe presim ta vlerësojmë”.

Drejtoresha e Institutit Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se norma e fataliteteve mbi rastet ka mbetur konstante në këtë periudhë dyjavore, 1,7. Megjithatë, ajo tha se ka një shtim të numrit të rasteve te moshat e reja deri në 45 vjeç. “Kemi 9910 të vaksinuar, 8443 prej të cilëve kanë marrë dozën e parë, ndërsa 667 dozën e dytë. Është fillimi i rrugëtimit për të parë dritë në fund të tunelit. Por kjo nuk mund të na vetëkënaqë, por duhet të vijojmë me zbatimin e masave”, tha ajo.

Edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se në dy javët e fundit ka pasur një ulje të lehtë të numrave, rreth 2200-2300 thirrje në ditë. “Numri i shtrimeve në spital u rrit në shkurt, por nga 17 shkurti ka një ulje të shtrimeve në spital, çka na jep optimizëm për të thënë që masat që morëm para dy javësh dhanë efekt dhe situata është nën kontroll. Hapja e spitaleve rajonale ndihmoi në shpërndarjen e pacientëve dhe menaxhimin e situatës”, tha ai.

Deri në 24 shkurt, në vendin tonë janë konfirmuar 103 327 raste me koronavirus, prej të cilëve 66 309 janë konfirmuar si të shëruar. Në total, nga pandemia në vendin tonë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë humbur jetën 1715 persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme