23:38 – Një grupim i vogël protestuesish, por aktiv mbetet para drejtorisë së policisë, ndërsa pjesa më e madhe e protestuesve sëbashku me Kryetarin e PD, Lulzim Basha janë zhvendosur pranë zonës së Shallvareve.
Forcat e rendit kanë bllokuar rrugën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa protestuesit vazhdojnë të hedhin mjete piroteknike në koshat e mbetjeve.
22:45 – Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe mbështetës të shumtë mbërrijnë pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës pas shoqërimit të sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi. Në hyrje të drejtorisë së Policisë së kryeqytetet hidhen tymuese. Një situatë kaotike mbizotëron në zonë nga hedhja e mjeteve piroteknike dhe tymueseve. Afrohet edhe një autobot uji dhe fillon hedhja e ujit drejt protestuesve. Policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës.
22:15-Kryetari i PD, Lulzim Basha: Është dhunuar në mënyrë të pashembullt, sekretari organizativ i PD, Sahit Dollapi, i cili gjatë gjithë protestës ka bërë gjithçka për të mbrojtur efektivët e policisë. Ka dalë para gurëve, para fishekzjarrëve, por me urdhër të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt është dhunuar në mënyrën më barbare të mundshme dhe është shoqëruar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në emër të opozitës i bëj thirre Ramës ta lirojë një orë e më parë, ndërkohë që ju bëj thirrje të gjithëve ju të më ndiqni një drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
21:48 – Tension para Parlamentit, policia largon protestuesit me gaz lotsjellës. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dalin në rrugën para godinës së Kuvendit, duke ecur në drejtim të protestuesve. Protestuesit janë zhvendosur dhe situata është nën kontrollin e plotë të forcave të rendit. Në pamjet shihet edhe momenti që policia shoqëron dhe dhunon sekretarin organizativ të PD-së, Sahit Dollapi.
Protestuesit vijojnë të largohen në drejtim të Piramidës, pasi mjegulla e tymit të gazit lotsjellës vijon të jetë e madhe. Deri më tani raportohet se 12 efektivë të policisë dhe 2 protestues po marrin mjekime në Qendrën Spitalore Nënë Tereza.
21:30 – Është sulmuar një grup xhirimi i ABC News. Është goditur kameramani, është thyer kamera dhe janë prishur të gjitha aparaturat e tjera që shërbejnë për lidhje direkte.
“Ishin protestues të maskuar, ishin 5 veta me maska të cilët pasi hodhën disa bomba molotov, në drejtim të selisë së Parlamentit, u drejtuan fillimisht të operatorit tonë, por më pas dëmtuan edhe disa kamera të tjera. Por duhet theksuar se sulmi ishte i drejtpërdrejt, ishte një sulm fizik, ku pikësëpari është me rëndësi jeta e më pas pajisjes elektronike, që tashmë janë të dëmtuara. Na u desh për pak çaste të largoheshin sepse ishte e pamundur që t’i përballonim furitë e tyre të njëpasnjëshme, nuk e kam kuptuar edhe këtë irritim që patën ndaj medias, sidomos kur ishim duke pasqyruar live çdo çast nga Kryeministria në drejtim të selisë së Parlamentit”, tha gazetari i ABC News, Andi Qosja, në një lidhje telefonike në studio.
21:12 – Protestuesit hedhin bomba molotov pranë kordonit të policisë që ndodhet para godinës së Kuvendit. Policia kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës, duke shpërndarë protestuesit. Dëgjohen edhe shpërthime fishekzjarresh.
20:50 – Protestuesit nisen drejt sallës së Kuvendit. “Të gjithë pas liderit të opozitës drejt sallës ku strehohet krimi”, tha para protestuesve, ish-deputeti Flamur Noka.
20:30 – Skadon afati i lejes për protestë nga Policia e Tiranës, e cila kërkesës së opozitës i ishte përgjigjur duke i vënë afatet kohore 18:30 – 20:30.
20:20 – Vijon projektimi i mesazheve të ndryshme në fasadën e Kryeministrisë, ku mbizotërojnë mesazhet si “Rama Ik”, “Qeveri e krimit”, “Shqipëria si Europa”.
20:13 – Nga flakë e tym, të paktën për pak minuta protesta e opozitës ka marrë një tjetër pamje. Protestuesit kanë ndezur dritat e telefonëve të tyre, ndërsa Partia Demokratike e ka cilësuar këtë si “protesta e dritave”.
Basha: Liri a vdekje, Demokraci a vdekje!
19:50 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Mirë se jeni mbledhur në Kuvendin dhe referendumin popullor. Mirë se keni ardhur në kuvendin e sovranit. Jemi mbledhur sonte këtu, me një kushtrim, me një qëllim, me një mision, për të mos pranuar më kurrë, Shqipërinë e krimit, Shqipërinë e korrupsionit, Shqipërinë e hajdutërisë së Edi Ramës, por për Shqipërinë si gjithë Europa.
Nuk të lëmë më të bllokosh rrugën tonë drejt Europës. Rama ik
Shqipëria si gjithë Europa. Me këtë ëndërr jemi mbledhur dhe kemi bërë hapa përpara. Me këtë ëndërr për Shqipërinë si gjithë Europa kemi qëndruar në ditët më të zeza të diktaturës dhe tiranisë.
Bashkimi i Edi Ramës me krimin ka një përgjigje të dhunojë zgjedhjet e ardhshme. Taskë forca duhet të jetë sot në burg. Edi Rama është shkatërruesi i drejtësisë. Zgjedhjet me krimin do t’ia dalin. Armata e lirisë është ngritur në këmbë, është derdhur në sheshe.
Zot në shtëpinë tuaj jeni ju, jo krimi.
Le ta dëgjojnë misionin tonë, anembanë e duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Sot na nderojnë me praninë e tyre në këtë protestë madhështore anëtarët e organizatës studentorë te PPE dhe përfaqësues të partive simotra nga të gjithë vendet e Europës. Zgjedhjet europiane, triumfi i idealit të Europës është sot.
Zonja dhe zotërinj. Efektivët e policisë janë vëllezërit tanë, ata janë po kaq të kërcënuar nga krimi, sepse krimi është komandanti i policisë së shtetit. Ruani! Mos cenoni efektivët e policisë. Beteja jonë është me krimin, është me qeverinë e lidhur me krimin. Beteja jonë nuk do të përfundojë asnjë hap pas. Rama ik! E di zemërimin tuaj, të dhunuar, të shpunësuar, të papunë, ora e Shqipërisë evropiane po afron, forca jonë është pjesëmarrja, është bashkimi, qëndresa. Rama ik! Fitore, Fitore, Fitore!
Nuk ka gaz lotsjellës e brutalitet policor ta ndalë e ta shpërndajë vullnetin tonë sot. Bashkohuni miqtë e mi, vëllezër e motra. Protesta vazhdon e do të vazhdojë. Beteja do të vazhdojë deri në fitore. E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa. Asgjë më kriminale nuk ka se pasi të vjedhësh taksat e popullit ti përdorësh ato për të helmuar protestuesit. Prandaj si garancia e vetme për kushtetutë dhe ligj, me një kërkesë, me një mision, me një qëllim, “E duam Shqipërinë sie gjithë Evropa”.
Asnjë prej nesh këtu nuk ka ardhur të lëndojë e të prekë asnjë prej vëllezërve dhe motrave tona me uniformë. Qëllimi ynë këtu është të dërgojmë një mesazh të prerë dhe final kryehajdutit, kryebanditit në krye të qeverisë s ëpaligjshme, Edi Ramës dhe skotës së tij të hajdutëve. Dhe mesazhi ynë për të është “Rama ik”.
Ndaj le të vazhdojmë miqtë e mi qëndresën tonë, misionin tonë, protestën tonë, sepse misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë. Këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, këtë betejë ne nuk e bëjmë për parti, këtë betejë ne nuk e bëjmë për karrige, këtë betejë nuk e bëjmë për mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra nga krimi dhe paratë e drogës, por ne ua kthyem qytetarëve.
I kthyem mandatet sepse nuk mund të ketë më parlament të pazareve, qeveri pazar, zgjedhje fallco, drejtësi fallco, ekonomi fallco, shëndetësi fallco dhe arsim fallco. Ne e dimë se rruga jonë drejt Evropës kalon vetëm përmes fitores në këtë betejë. 12 vjet më parë, Shqipëria e frikës, e territ, e varfërisë, e arrogancës, e korrupsionit, e hajdutërisë mbizotëronte si re e zezë anembanë vendit. Shikoni se çfarë kemi arritur dhe jemi krenarë për bashkimin më të madh, bashkimin më të vendosur të qytetarëve shqiptarë.
Orët, Ditët dhe javët e ardhshme janë deçizive. Rruzulli i ka sytë sot tek bashkimi i shqiptarëve për liri dhe demokraci nuk duhet të kenë dyshim se cila është vija jonë e kuqe, nga fundi i sheshit Skënderbej, tek fillimi i Nën Teresës, e duam shqipërinë si gjithë europa.
Ne, Europës i sjellim vlerë unike vlerën e bashkimit në shpirt dhe ne zemër me besimtarë të zotit, para se vëllezërit e agjërimit ta thyejnë atë. Sakrifica juaj ndriçoftë rrugën tonë me bekimin hyjnor.
Liri a vdekje, Demokraci a vdekje!
19:15 – Në dyert e Kryeministrisë hidhet molotov. Protestuesit e sulmuan godinën në kohën kur kreu i PD, Lulzim Basha po niste fjalimin e tij. Vetëm pak çaste përpara se të sulmonin Kryeministrinë, protestuesit hoqën barrierat metalike të vendosura para kësaj godine.
Në mënyrë të vazhdueshme protestuesit hedhin tymuese, gurë e flakadanë në drejtim të godinës së kreut të qeverisë. Protestuesit çanë edhe kordonin e policisë duke u ngjitur për pak minuta në hyrje të Kryeministrisë. Megjithatë ata u zbrapsën pasi policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.
19:10 – Protestuesit heqin barrierat metalike dhe përplasen me kordonin e parë të policisë para kryeministrisë. Në drejtim të Kryeministrisë hidhen tymuese ndërkohë që nga megafonët dëgjohen thirrjet “Policia është me ne”.
19:02 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga qindra studentë nga vendet e BE niset nga selia e PD drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku do t’u bashkohet mijëra protestuesve para Kryeministrisë.
Ndërkohë, policia nëpërmjet një punonjësi të Policisë të Patrullës së Përgjithshme në mënyrë të vazhdueshme bën thirrje në megafon drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës si më poshtë:
“Te nderuar qytetarë,
Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë.
Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.
Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike se rrezikoni jetën e punonjësve të Policisë”.
Ora 18:40 –Mijëra protestues opozitarë janë mbledhur këtë të shtune në Tiranë, në protestën e 4-t kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Protestuesit kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që sipas tyre do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protesta pritet të zgjasë më shumë se 3 orë, teksa para protestuesve pritet të mbajë një fjalim edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Rreth 1 300 efektivë po mbikëqyrin, teksa i gjithë perimetri i godinës së Kryeministrisë dhe ai i godinës së Parlamentit dhe Piramidës është i rrethuar me barriera metalike. Po ashtu janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të bërë të mundur shquarjen e elementëve të rrezikshëm në rast incidentesh. Rreth 200 efektivë rezervë policie po ashtu janë pranë godinës së Parlamentit.
PD ka marrë leje për të zhvilluar tubim vetëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe jo para godinës së Parlamentit.
Policia ka dhënë leje vetëm 2 orë për protestën nga ora 18:30 në orën 20:30, por këto afate kohore nuk do të respektohen./tvklan.al
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit