Vangjel Tavo: Pres përgjigje nga Gjikuria, pozicioni i nënkryetarit është i hapur

07:37 | 14 Gusht 2024
E.G

Asnjë ditë pushim, as festë por punë! Siç kishte premtuar. Kandidati fitues i zgjedhjeve të pjesshme të 4 gushtit, në bashkinë e Himarës, socialisti Vangjel Tavo çdo ditë ndodhet në zyrën e tij elektorale për të pritur banorët, dëgjuar problematikat e tyre të cilat premton se do i zgjidhë sapo të hyjë në zyrën e bashkisë.

“Kam filluar punën. Defakto kam marrë detyrën, dejuro presim vendimarrjen e KAS, KQZ. Po pres. Jam në zyrën time elektorale deri në momentin që do të futem në zyrën e bashkisë” thotë Vangjel Tavo në një intervistë me skype me Report Tv.

9 ditë nga fitorja e thellë, kryetari i zgjedhur ende nuk është betuar. Shkak për zvarritjen e futjes në zyrën e kryebashkiakut me disa ditë është bërë ankimimi i opozitës në KQZ për parregullsi në zgjedhje.

Megjithatë kundërshtarët politikë i ka lënë pas.

“Nuk jam marrë as në fushatë dhe as pas fushatës me ta. Ata gjatë fushtatës e kishin kuptuar humbjen e thellë që do të pësonin dhe nisën me deklaratat e tyre për ti paraprirë disfatës elektorale. As jam marrë dhe as nuk do të merrem ndonjëherë me rivalët e mi. Përkundrazi i kam ftuar të bëhen pjesë e projektit tonë për Himarën e himariotët’

Është ende e hapur ftesa për rivalin, Petro Gjikuria, – kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë” përballë të cilit fitoi në zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit

“Po pres përgjigje edhe nga ish rivali, zoti Gjikuria. Që nuk e di nëse vijon të jetë këtu apo në Amerikë. Nëse është këtu po pres përgjigje, pozicioni i nënkryetarit është i hapur për zotin Gjikuria”

Ka lënë pas edhe debatin më të madh që përfshiu zgjedhjet e Himarës që ishte mos-lejimi i votuesve me ID të skaduara që të votojnë. Tavo thotë se ishin si votues të opozitës, edhe votuesit e tij që u prekën.

“Do të trajtohet nga KAS. Ata thonë se ishin 300 emra në listë. Më denoncuan dhe mua që s’paskam të drejtë të lëvizë. Po unë s’paskam të drejtë të lëviz?

Po ua fal dhe këto vota? Ia dalin dot? Ata i përdorin si argumente thjesht për ti mbushur mendjen se në Himarë është bërë manipulim për të justifikuar disfatën më të madhe që kanë pësuar në Himarë. Dhe nëse vijojnë kështu distafa do të jetë edhe më e madhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mes personave që ishin me kartë të skaduar identiteti ishin dhe zgjedhësit e mi. Edhe atyre u thashë më vjen keq ligji është i barabartë për të gjithë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme