Valë e re dhe e heshtur emigrimi nga Shqipëria

19:22 | 20 Janar 2018
Arbresh.info

Në Tiranë, revista ekonomike Monitor sapo ka kryer një vëzhgim mbi emigrimin e ri të shqiptarëve.

Sipas këtij vëzhgimi, që publikohet të hënën në kryeqytet, ritmi i largimit të shqiptarëve nga vendi po rritet përsëri deri në nivelet rekord të vitit 2015.

E veçanta në këtë valë të re emigrimi është se tashmë qytetarët thjesht ikin heshturazi e nuk kthehen, por nuk kërkojnë azil.

Edhe gjatë vitit 2017 qytetarët shqiptarë vazhduan ta braktisin vendin në masë të konsiderueshme, duke kërkuar ta ndërtojnë jetën e tyre në shtete të tjerë.

Vëzhgimi i revistës Monitor, që publikohet të hënën në Tiranë, zbuloi një tjetër rritje të fortë të ikjes së shqiptarëve, tregues i emigrimit të shtuar edhe gjatë vitit 2017.

Nga të dhënat e INSTAT për 10-mujorin e 2017, largimet pa kthim të shqiptarëve shënuan një rritje të re, në diferencën mes udhëtarëve që dalin dhe atyre që hyjnë nga kufiri.

Sipas vëzhgimit të revistës Monitor, grafiku i largimeve të shqiptarëve ka 3 kulme maksimale; në vitin 2011 kur Shqipërisë iu hoq regjimi i vizave, një kulm tjetër është viti 2015, kur u vërtetua se kishte shumë aplikime për azil, dhe tani në 2017, që njerëzit ikin dhe nuk deklarojnë asgjë as kur nisen dhe as kur mbërrijnë.

Drejtuesja e revistës Monitor, Ornela Liperi, theksoi se në mungesë të një regjistrimi të popullatës, kjo mënyrë e tërthortë është e vetmja për të regjistruar largimet e njerëzve, pra përmes raportit të atyre që ikin dhe atyre që kthehen, një diferencë që sa vjen dhe thellohet.

“Ritmi i ikjes së shqiptarëve në 10 muajt e 2017 është po aq i lartë sa edhe në vitin 2015, kur shifrat arritën rekord maksimal. Njerëzit ikin nga mungesa e alternativës, sidomos të rinjtë. Firmat, bankat, callcenterat po shkurtojnë vendet e punës. Punëdhënësi më i madh privat aktualisht është një kompani lojërash fati” – tha zonja Liperi.

Në një pjesë të konsiderueshme të shifrave, bëhet fjalë për largime të fshehta e të padeklaruara të shqiptarëve.

Ata thjesht udhëtojnë jashtë vendit dhe nuk kthehen brenda afateve ligjore, mbeten jashtë dhe nuk deklarojnë statusin e tyre.

Një pjesë kërkojnë azil, por një pjesë nuk kërkojnë azil, ata kërkojnë punë dhe jetesë jashtë vendit pa treguar asgjë rreth vetes, e duke humbur çdo gjurmë.

“Mendoj se u duhet rënë kambanave të alarmit, sepse Shqipëria po zbrazet edhe nga mjekët e profesorët edhe nga rinia e nga fuqia punëtore. Me këto ritme po plaket popullata dhe po nisin probleme të rënda sociale e ekonomike. Shqipëria nuk është vetëm e politikanëve, por është e të gjithëve” – tha sociologu Gëzim Tushi.

Sipas të dhënave të fundit, diferenca mesatare historike për kthimin është negative midis 200-250 mijë persona, duke llogaritur edhe periudhën 3 mujore që kanë të drejtë të rrinë andej.

Ekspertët pohojnë se kur shifrat kapërcejnë befas, edhe shkaqet që i sjellin ato ndryshime janë të forta. /VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme