Vakanca në Gjykatën Kushtetuese rrezikon të hedhë në erë skemën e ripërtëritjes

08:16 | 28 Tetor 2024
E.G

Në Shqipëri, dorëheqja e anëtares së Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska, më 19 shtator, dhe shpallja e vendit vakant për zëvendësimin e saj, me një mandat deri në vitin 2028, rrezikon të çojë në shkelje të Kushtetutës, e cila parashikon (Neni 125, pika 6) se “përbërja e Gjykatës përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj”. Skema e parashikuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, në pjesën e dispozitave kalimtare, (Neni 86, pika 4) përcakton mënyrën se si do të bëhej përtëritja e gjyqtarëve deri në vitin 2022, për të garantuar, që në vitt 2025, 2028 dhe 2031, të mund të realizohej ndryshimi, me tre anëtarë, një për secilin organ emërtese (Presidenti, Parlamenti, Gjykata e Lartë). Një skemë e cila reflektonte dispozitat kalimtare të Kushtetutës (Neni 179, pika 3), të ndryshuar në kuadër të reformës në Drejtësi, ku parashikohej kufizimi i mandatit.

Edhe Opinioni i Komisionit të Venecias, i qershorit 2020, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetues, i bën të njejtin lexim skemës, kur në pikën 18 shprehet se “në këtë mënyrë, pika 3 e nenit 179, synonte të rikrijonte tre grupe me nga tre gjyqtarë, mandati i të cilëve do të përfundonte në të njëjtin vit: tre në 2025, tre në 2028 dhe tre në 2031”.

Për grupin e tre anëtarëve mandati i të cilëve duhet të përfundojë në vitin 2025, Presidenti i Republikës, në dekretin e 28 dhjetorit 2020, duke emëruar anëtaren Sonila Bejtja, përcakton se bëhet fjalë për vakancë të përkohshme (vendin e lënë nga anëtari Sokol Berberi, mandati i të cilit kishte përfunduar në vitin 2016).

Po kështu dhe Gjykata e Lartë, në datë 16 janar të vitit 2023, e përcakton madje të shprehur qartë se ka vendosur “zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj anëtare të Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”. Zonja Zaçaj, aktualisht kryetare e Gjykatës Kushtetuese, mori mandatin pasues të zonjës Vitore Tushe, që kishte përfunduar në vitin 2017. Nëse do të kishte qenë 9 vjeçar, ai do të duhej të përfundonte në vitin 2026, por për të garantuar skemën e rotacionit me tre anëtarë në vitin 2025, ky mandat u kufizua me një vit.

Për çudi, më herët, në vitin 2019, Parlamenti, organi i tretë i emërtesës, rezulton të ketë qenë ai që nuk ka respektuar skemën, e përcaktuar nga Kushtetuta dhe Ligji i Gjykatës Kushtetuese, kur për mandatin pasues të Vladimir Kristos, i përmbyllur në vitin 2016, emëroi, në 11 nëntor të vitit 2019, zonjën Elsa Toska për një mandat të plotë. “Zonja Elsa Toska zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për vakancën e plotë të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018.”, lexohet në vendimin e firmosur nga kryetari i atëhershëm Gramoz Ruci. Në faqen e parlamentit, nuk gjenden dokumentat shoqëruesë, dhe as raporti i shqyrtimit në Komision. Zëri i Amerikës kërkoi në rrugë zyrtare nga parlamenti këtë dokumentacion, por nuk mori asnjë përgjigje, dhe në shkelje të afatit 15 ditor, brenda të cilit autoritetet duhet të japin informacion.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 23 shtator 2024, për deklarimin e mandatit të zonjës Toska, merret si referencë pikërisht vendimi i parlamentit, që i kishte dhënë asaj mandat të plotë. Megjithatë vendimi që i dërgohet parlamentit si organ i emërtesës, nuk përcakton se kur përfundonte mandati i saj.

Një javë më pas, parlamenti, përmes kryetares Elisa Spiropali, shpall vakancën. Duke ju referuar vendimit të nëntorit 2019, në njoftimin për aplikimet, përcaktohet se mandati për të interesuarit është deri më 14 nëntor 2028.

Nga një pikëpamje formale, zonja Spiropali duket të ketë ndjekur procedurën e mëparshme të parlamentit. Por ekspertë të kushtetutës të kontaktuar nga Zëri Amerikës, shpjeguan se dorëheqja e zonjës Toska, ishte një rast i mirë për të korrigjuar gabimin e mëparshëm, edhe sepse, ripërtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet, me një të tretën e saj, sipas përcaktimit të vetë Kushtetutës, prevalon mbi çdo akt tjetër.

Praktikisht, duke ecur në këtë rrugë, ripërtëritja sipas parashikimit të nenit 125, pika 6 e Kushtetutës, cënohet qartazi. Në vitin 2025, do të duhet të largohen 2 anëtarë, ndërsa në vitin 2028, katër anëtarë. Dhe një gjë e tillë do të trashëgohet edhe më pas, duke e prishur përfundimisht, të gjithë skemën.

Zëri i Amerikës, ju drejtua zyrtarisht parlamentit, duke kërkuar vlerësimin ligjor mbi bazën e të cilit, kryetarja Spiropali shpalli vakancën deri në vitin 2027, dhe nëse ishte marrë në konsideratë, fakti që një gjë e tillë binte ndesh me përcaktimin e Kushtetutës për ripërtëritjen e Gjykatës, si dhe skema që ishte në fuqi, kur ishte emëruar zonja Toska. Kërkesa drejtuar parlamentit, daton më 8 tetor. Ndonëse afati i detyrueshëm për institucionet, për të dhënë informacionin e kërkuar, është 15 ditë, nga parlamenti nuk ka asnjë përgjigje ende dhe sot.

Në ndryshim nga parlamenti, Gjykata e Lartë, një tjetër organ emërtese për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, në përgjigje të kërkesës së Zërit të Amerikës, për një vlerësim të rëndësisë së ripërtëritjes, shprehet se “ky proces është sa i rëndësishëm, aq edhe detyrues, si për Gjykatën e Lartë, ashtu edhe për dy institucionet e tjera”, parlamentin dhe presidentin. Gjykata e Lartë, thekson më tej se “për shkak të rëndësisë që ka ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të vazhdueshme, një herë në tre vjet e një të tretës së anëtarëve të saj, ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, konkretisht, neni 179 ka parashikuar një skemë të qartë për realizimin e saj…”, dhe se ky rregullim kushtetues, është qartësuar më tej edhe në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, “ku në nenin 86 është parashikuar skema e kryerjes së ripërtëritjes për fazën kalimtare (deri në vitin 2022), ndërkohë që pas kësaj periudhe, çdo tre vjet (viti 2025, 2028 e në vijim) ripërtëritja kthehet në normalitet”.

Gjykata e Lartë, saktëson se ajo “si organ emërtese, ka detyrimin kushtetues dhe ligjor t’i qëndrojë strikt respektimit të rregullave, të cilat i shërbejnë një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, me qëllim përmbushjen në kohë të standardit kushtetues të ripërtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, çdo tre vjet, në një të tretën e gjyqtarëve të saj”.

Për një vlerësim të situatës së krijuar, Zëri i Amerikës ju drejtua zyrtarisht edhe Gjykatës Kushtetuese, por përgjigja në rrugë telefonike, ishte se anëtarëve të Gjykatës nuk u lejohet të bëjnë interpretime të kushtetutës, dhe se referencat e vetme janë dy nenet e Kushtetutës, ai 125, pika 3 “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi”, dhe neni 129 sipas të cilit “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Megjithatë, rasti i zonjës Toska, hyn në skemën e parashikuar për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës deri në vitin 2022, parashikuar në dispozitat kalimtare, po të Kushtetutës./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme