Një grup të rinjsh, pjesëtarë të bordit drejtues të adoleshentëve UNICEF-Albania kanë ngritur në sheshin qendror të qyteti të Shkodrës “Shtepinë e të rinjve”. Përmes saj ata synojnë të njihen me idetë dhe shqetësimet e bashkëmoshatarëve si, pamundësia e pjesëmarrjes në vendimmarrje, niveli i shkollimit apo problematikat që i shtyjnë ata për të emigruar. “Shtëpia e të rinjve” është edhe një vend ku të rinjt njihen me programet mbështetëse të UNICEF-it për të rinjtë në Shqipër.
Dea, Esti, Xhevahiri dhe Amanta janë katër nga 22 të rinjtë e bordit këshillimor të adoleshentëve UNICEF-Albania. Në qendër të qytetit të Shkodrës, ku prej ditësh ndjehet atmosfera e festave të fundvitit, ata kanë ngritur “Shtëpizën e të rinjve”. Dea Boriçi thotë se kjo është një përpjekje për të takuar të rinjtë, për t’i mbështetur në shqetësimet e tyre dhe për t’i njohur me programet që UNICEF ofron për të rinjtë në Shqipëri.
“ Ne kemi ardhur këtu që të promovojmë programet dhe aktivitetet e UNICEF-it. Kemi ca ushqime, aktivitete të vogla, lojra dhe surpriza për të rinjtë, në mënyrë që ata të njihen me UNICEF-in, por, në veçanti, me bordin e këshillimit të adoleshentëve sepse, ne synojmë të lidhemi fort me pjesën tjetër të të rinjve dhe, si përfaqësues të tyre, mendimet e tyre t’i marrim dhe t’i përcjellim më pas tek organizata UNICEF”.
Dea thotë se përjashtimi nga vendimmarrja dhe paqartësia për të ardhmen i bën të rinjtë tejet të shqetësuar.
“Janë një grupmoshë që janë tejet të shqetësuar sepse jeta e tyre karakterizohet nga një pasiguri për të ardhmen. Kjo lidhet me faktin se ata kanë nevojë për orientim, kanë nevojë për mbështetje, veçanërisht kur vjen puna për integrimin e tyre në tregun e punës. Por, po ashtu kanë nevojë edhe për fuqizim dhe të kuptojnë se dëgjohen nga të tjerët. Këtu është edhe fokusi i punës tonë si bord, por edhe i vetë organizatës me të cilën ne bashkëpunojmë si bord”.
Programe të tilla si; “Garancia Rinore” për të rinjtë që duan të futen në tregun e punës apo programi “Ju raportoni”, i cili synon tërheqjen e mendimeve të të rinjve, janë disa prej programeve që po mbështesin të rinjtë në Shqipëri. Është e rëndësishme, thotë Esti Piranej, që të rinjtë të përfshihen në jetën sociale dhe që zëri i tyre të dëgjohet.
“Të rinjtë tani nuk po shfaqin më interes përsa i takon të drejtave të tyre. Nuk po e ngrejnë zërin dhe kjo për shumë faktorë të ndryshëm. Dhe ne duam që ata ta ngrejnë zërin e tyre përsa i takon kauzave sociale, të cilat, në një farë mënyre, kanë pasoja tek të rinjtë dhe jo vetëm”.
Një arsim më cilësor, përfshirje në vendimmarrje dhe tregun e punës si dhe nevoja për më shumë mbështetje për personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e shqetësimeve të shumë të rinjve sot, thonë anëtarët e bordit këshillues të adoleshentëve UNICEF- Albania.
I riu Xhevahir Meshluni thotë se shoqëria duhet t’i afrojë dhe mirëkuptojë më shumë të rinjtë, sidomos të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Amanta është maturante në një nga gjimnazet e qytetit të Shkodrës. Ajo thotë se përmes pjesëmarrjes në programet e UNICEF për të rinjtë ka arritur të kuptojë se përmes fuqizimit, të rinjtë mund të bëhen pjesë e procesit të zhvillimit. Kjo e ka nxitur të shikojë të ardhmen në vendin e saj dhe jo në rrugët e emigrimit.
“Shqetësimet që unë shikoj tek të rinjtë që po largohen nga vendi lidhen me mungesën e përfshirjes së tyre në vendimmarrje, por gjithashtu edhe pasiguria që ata kanë për të ardhmen e tyre në vend. Si pjesë e UNICEF vërej se organizata po merr nisma për t’i bërë të rinjtë pjesë e vendimmarrjes dhe për t’i fuqizuar ata me platformën “Ju raportoni’ ku të rinjtë mund të shprehin mendimet e tyre”.
Përmes disa programeve, UNICEF po mbështet në Shqipëri grupe të rinjsh për t’u përfshirë në procese dhe ngjarje lokale e kombëtare, që synojnë edukimin, mirëqenien, ndërtimin e aftësive, inovacionin, apo aksesin e tyre në tregun e punës./voa
Hetemi vizitoi policët e aksidentuar në Grabovc të Zveçanit
Zgjedhjet 2025, Kurti – mërgimtarëve: Nga çdo cep i bo...
Ylli “bën dritë” në Prizren, i shkakton humbjen ...
KFOR-i: S’kemi ‘listë të zezë’
Autoritetet franceze: Qindra, ndoshta mijëra viktima nga cik...
Gjuajtje me armë zjarri në Mramor- Policia përdori armët nda...