Google ADS

Udhëtimet jashtë shtetit, ministrja e Ramës fle në hotele ku nata kushton 706 euro

23:14 | 23 Gusht 2019
Trina Galanxhi

Udhëtimet jashtë shtetit të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj i kushtojnë shtetit shqiptar mijëra euro në vit.

Sipas faturave, në udhëtimet e punës gjatë vitit 2018 deri në qershor të vitit 2019, ministrja Gjonaj ka qëndruar në hotele luksoze me çmime që e kalojnë shifrën 700 euro nata. Por nuk mjafton vetëm kaq.

Kostot e biletave me të cilat fluturon ministrja e Drejtësisë rezultojnë më të shtrenjta sesa biletat që një individ i thjeshtë mund t’i rezervojë online.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është akomoduar në të shumtën e rasteve, në hotele me pesë yje që kanë çmime “të kripuara”.

Në një prej udhëtimeve të saj të punës në Bruksel, nga data 19 deri në 21 qershor të vitit 2018, Gjonaj ka paguar 1320 euro për dy netë ose 660 euro nata në hotelin e quajtur “The Hotel Brussels”.

Fatura nuk ka shpjegime të detajuara se në çfarë lloji dhome është akomoduar ministrja që e ka bërë këtë rezervim dy-ditor kaq të shtrenjtë por mjaftohet me emrin e ministres si blerësi dhe çmimi total i konsiderueshëm. Rezervimi është bërë nga një kompani shqiptare e quajtuar Albania Experience.

Ministrja në këtë udhëtim pune është takuar me komisioneren Vera Jourova për të diskutuar lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet në zbatimin e saj.

Udhëtimi 1

Po në Bruksel, gjashtë muaj më vonë, në dhjetor Gjonaj është akomoduar për një natë në një hotel me pesë yje i quajtur “Steigenberger Wiltcher’s” me kosto 543 euro.

Ministrja është akomoduar në një nga dhomat më të mira (Superior King Buffet).

Ministrja ishte në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e 19-të Evropian të Ballkanit Perëndimor 2018 mbi “Zgjerimin, Integrimin dhe sfidat e ndryshimeve”.

Në datat 4 deri më 6 shkurt të vitit 2019 ministrja ka udhëtuar drejt Londrës ku është akomoduar në një prej hoteleve më të shtrenjta të kryeqytetit britanik. Rezervimi për dy netë i ka kushtuar ministres 1291 paund ose e përkthyer në euro rezulton se ministrja e Drejtësisë ka shpenzuar 706 euro për një natë.

Ministrja ka udhëtuar me tre persona të tjerë të ministrisë teksa vetë është akomoduar në “Corinthia Hotel London” i cili njihet si një prej hoteleve më luksozë me pesë yje në Londër.

Në këtë udhëtim, ministrja ka takuar ministrin britanik të Burgjeve dhe dy zyrtarë të tjerë.

I ngjashëm është rasti i Parisit ku ministrja ka qëndruar për tre netë nga data 4-7 maj të këtij viti në hotelin me pesë yje “Majestic Hotel Spa”. I gjithë rezervimi shkon në shumën 2014 euro, ose 670 euro nata. Hoteli në fjalë është nga më të shtrenjtët dhe më të mirët në Paris.

Gjatë këtyre tre ditëve ministrja ka pasur takime me homologen e saj dhe institucione të tjera të drejtësisë franceze

Fatura e Parisit

Një nga qëndrimet e saj më të shtrenjta jashtë shtetit ministrja Gjonaj e ka paguar në Romë. Ajo ka fjetur vetëm një natë nga data 21 deri 22 maj të këtij viti në hotelin luksoz me pesë yje “Ambasciatori Palace” dhe kjo i ka kushtuar shtetit shqiptar plot 706 euro.

Në këtë udhëtim pune ministrja ka takuar homologun e saj italian Alfonso Bonafede.

Fatura e Romës

Hotelet e shtrenjta nuk mbarojnë për ministren e Drejtësisë. Në një udhëtim pune nga data 3-6 qershor të këtij viti në Berlin të Gjermanisë, ministrja Gjonaj është akomoduar në hotelin Hilton me një kosto totale prej 1900 eurosh. Nisur nga këto të dhëna rezulton se kostoja e një nate ka qenë 630 euro.

Siç shkruante asokohe ministrja në rrjetet sociale, ajo ishte takuar me përfaqësues të Bundestagut Gjerman dhe kishte marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “One Forencics”, Forencic and Integrity Services bashkë me ministrin shqiptar të Brendshëm Sandër Lleshi.

Fatura e Berlinit

Edhe në një udhëtim të saj në rajon, ministrja e Drejtësisë është akomoduar në hotel të shtrenjtë me pesë yje. Gjonaj ka zgjedhur “Swiss Diamond Hotel Prishtina” në Kosovë për një natë nga data 25-26 mars i këtij viti. Hoteli në fjalë njihet si më luksozi në vend.

Kostoja për një natë në këtë hotel ka qenë 238 euro. Edhe pse kostoja është më e ulët se në hotelet e kryeqyteteve europiane, ministrja sërish është akomoduar në një hotel luksoz me pesë yje.

Siç shkruan ministrja në faqen e saj zyrtare ne Facebook, ajo ka takuar homologun kosovar Abelard Tahiri ku kanë folur për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e drejtësisë./faktor

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme