U vra babai dhe u plagos i biri, policia zbardh ngjarjen në Durrës: 5 të arrestuar, në kërkim 3 të tjerë

09:09 | 19 Shtator 2020
Arbresh.info

Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Durrës, ku humbi jetën 39 vjeçari Armando Baboçi i cili bashkë me të birin Erald Gjini 19 vjeç u plagosën në një lokal pas një sherri të çastit.

5 persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim për ngjarjen, ndërsa i plagosur nga ngjarja mbeti dhe Erik Totozi, i dyshuari si autori i ngjarjes.

Ndërsa policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, mësohet se fillimisht babë e bir janë konfliktuar me autorin duke përdorur fillimisht sende të forta, si shkop bejzbolli dhe mjete rrethanore e më pas palët kanë nxjerrë armët.

Njoftimi

Shërbimet e Policisë Durrës, pas njoftimit se në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit të menjëhershëm e profesional si dhe gatishmërisë së shërbimeve të tjera të Drejtorisë që ishin në zbatim të të planit të masave me pika kontrolli në të gjith qytetin e Durrësit, për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, bënë të mundur, identifikimin e personave të përfshirë në konflikt, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

K.D., 20 vjeç, H.T., 23 vjeç dhe S.T., 20 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 18.09.2020, rreth orës 20:00, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, me mjete të forta e më pas me armë zjarri kanë mbetur të plagosur shtetasit E.Gj., 19 vjeç, H.T., 23 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve si dhe shtetasi A.B.(Gj)., 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës.

Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë dhe shtetasit :

E.C.(B)., 25 vjeç dhe A.K., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Moskallëzim krimi”

Gjithashtu po në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim policor edhe tre shtetas të tjerë ku vijon puna për kapjen e tyre.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete, 4 aparate celular si dhe pamje filmike në interes të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, në ngarkim të shtetasve K.D., H.T., dhe S.T., për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje” dhe në ngarkim të shtetasve E.C.(B)., A.K., për veprën penale “Moskallëzim krimi”./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme