Google ADS

U tha se ka dhënë dorëheqja pas paraqitjes në SPAK, kryebashkiaku i Shkodrës e mohon

13:05 | 5 Nëntor 2024
K.B

Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, thotë se nuk ka dhënë dorëheqje nga detyra.

Ai kështu deklaroi pasi qarkulluan zëra se ai ishte dorëhequr nga pozita e tij, pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Ne vazhdojmë punën. Sigurisht jam paraqitur (në SPAK) për të dhënë shpjegime normalisht. Kush do të merret me llafe të merret me llafe. Mendoj se kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet, punët dhe Shkodra nuk ka të ndalur në këtë zhvillim që ka marrë”, deklaroi Beci, raporton A2.

Këto deklarata kreu i Bashkisë së Shkodrës i bëri gjatë inspektimeve për pastrimin e kolektorit kryesorë të qytetit të Shkodrës në zonën e Perashit në drejtim të zonës së Draçinit, i cili rrezikonte qytetin sa herë kishte reshje intensive shiu.

Një ditë më parë Beci ironizoi lajmin e përhapur në media në lidhje me dorëheqjen e tij, duke thënë se kjo ka ardhur pasi nesër do të zgjidhet presidentit i Amerikës.

“Nuk e di ku dreqin e kanë marrë vesh disa portale që kam dhënë dorëheqjen se ishte sekret deri nesër! Po tani që doli po e them edhe arsyen: Nesër zgjidhem unë president i Amerikës me kërkesë të dy kandidatëve të tjerë, meqë e tregova në Shkodër se jam i pëlqyeshëm për të dy palët”, shkroi Beci në Facebook.

Ditën e premte, Beci u paraqit në SPAK, ndërsa në dalje nuk pranoi të bënte komente për gazetarët, për arsyen e thirrje së tij në prokurori.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme