Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit shkarkoi sot nga detyra drejtorin e SHÇBA-së rajonale Fier-Berat, Arben Frashëri. Gazetari Artan Hoxha përmes një statusi të gjatë në Facebook rrëfen karrierën dhe sakrificën e tij, ndërsa shkruan se u dogj sepse nuk kishte mbajtur faturë për punën e tij si emigrant gjate 3 viteve në Greqi.
“Më 8 gusht 2003, ndërsa breshëritë e kallashnikovëve të skuadrës ceremoniale të Policisë së Shtetit, po i jepnin lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut”, Kolonel Gani Malushi, me sytë e mbushur me lotë, i drejtohem kolegut të tij, Arben Frashëri.
“Beni, bëj kujdes!
Nuk do mund ta përballoja dhe varrimin tënd në këtë mënyrë”.
Ndërsa i hidhja doren në sup Benit, bashkëluftëtarit dhe mikut të Gani Malushit, nê memorje më kaluan kujtimet në vitet e mbrapshta 1997-1998 në Beratin e zhuritur nga betejat e bandave. Kur Ganiu dhe Beni, në drejtimin e komisariatit të Beratit, kryen me dhjetëra aksione kundër disa nga bandave dhe kriminelëve me gjakatarë të 1997-ës.
Në gushtin e nxehtë të 1999-ës, serish të dy zbarkuan në Tropojën e përzhitur nga atentatet me mina të telekomanduara dhe serialin e vrasjeve që nuk ndalonte prej vitesh.
Në Bajram Curri, Benin e kishin dërguar si një nga specialistët më të mirë, për të hetuar dhe rihapur dosjet e serialit gjakatar të vrasjeve në Tropojë.
Arben Frashërin sa herë shkoja ne Tropojë, e gjeja të veshur me uniformë ushtarake kamoflazhi dhe me jelek antiplumb. Me këtë veshje, Beni më tepër se ustai që qepte hetimet dhe dosjet, dukej si një drejtues i forcave speciale që priste nga çasti në çast të hidhej në betejë.
Në atë kohë, ai përdorte fuoristradën e blinduar, tip Magnium, që kryeministri Majko ia kishte dërguar drejtuesve të komisariatit në Tropojë, si shenjë mbështetje për ta, në detyrën e vështirë që kishin marrë përsipër.
Në ato ditë të vështira, kam udhëtuar nëpër zonat e nxehta me mjetin e blinduar me Benin. Kemi ngrënë bukë bashkë në menxën e komisariatit të Bajram Currit, sepse më lirë se aty nuk kishim ku tjetër të hanim.
Jemi larë bashkë në degën e lumit Valbonë, Bistricë, se në komisariat nuk kishte ujë.
Kam fjetur në krevatin tip marinari në zyrën e Benit, brenda në komisariat, për të mos rënë preh e kërcënimeve.
Ndërsa sillja ndërmend keto kujtime, aty në lamtumirën e fundit të Gani Malushit, i kërkova dhe njëhere gati me lutje Benit.
“Ruaju Beni. Nuk kemi nevojë për Dëshmorët në varreza, por për heronjtë e gjallë, që të sigurojnë jetët tona dhe të familjeve tona…
Dhe nga ajo kohë, Beni mbijetoi për familjen e tij dhe për ne, duke i shërbyer atdheut, si hetues në prokurorinë e krimeve të rënda, në Policinë e Shtetit.
Deri sa sot paradite, një oficer me graden e lartë “Drejtues”, me 35 vite karrierë në Policinë e Shtetit, me vetëm një apartament modest banimi, si çdo shqiptarë i thjeshtë, mori “shpërblimin” për të gjithë sakrificën dhe jetën e tij, duke u flakur tej radhëve të Policisë nga një farë komision vetingu, sepse nuk kishte mbajtur faturë për punën e tij si emigrant gjate 3 viteve në Greqi…
Sot, Policia e Shtetit dhe shqiptarët, humbën një oficerë model.
Arben Frashëri, sot pas 35 vitesh karrierë, nuk ra dëshmorë nga plumbat e krimit, si kolegu dhe miku i tij, por ra viktimë e një sistemi të korruptuar deri në palcë..
Kurajo Beni, hundën mund të ta thyejnë, por kokën nuk ta ulin dot…
Në foto:
1)-Kjo foto qëndron në shtëpinë e Dëshmorit të Atdheut Gani Malushi, dalë me oficerët drejtues të komisariatit Tropojë 1999. Personi me uniforme kamoflazhi eshte Arben Frasheri.
2)-Arben Frasheri para komisionit të vetingut.
3)-Arkivoli me trupin e Kolonel Gani Malushit.
4)-Skuadra ceremoniale e Policise duke i dhënë lamtumiren e fundit Gani Malushit me bresheri kallashnikovesh në varrezat e Sharrës 8 gusht 2003…” shkruan Hoxha. /Abcnews.al
Putini i thotë Azerbajxhanit se mbrojtja ajrore ruse ishte e...
Hajrullahu: Pa digjitalizim, UP-ja nuk mund të ecë përpara
Kryetarit të Strugës i konfiskohet pasaporta
Florentino Perez ia refuzon kërkesën Kylian Mbappes për ta t...
Aktorët e Teatrit Kombëtar që 40 ditë në grevë
Osmani hap dyert e Presidencës për fëmijët, i quan udhëheqës...