Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se qeveria do të ndërmarrë një iniciativë ligjore për të lehtësuar procedurat e regjistrimit të fëmijëve të shqiptarëve që jetojnë në Angli, përfshirë ata që janë regjistruar si refugjatë kosovarë pas vitit 1999.
Rama ka theksuar se kjo nismë synon të përmirësojë situatën për ata që kanë kaluar vështirësi ligjore për regjistrimin e fëmijëve të tyre në Shqipëri.
Para diasporës shqiptare, nga Londra, Rama theksoi se qeveria do të angazhohet për të mundësuar rikthimin e emrave të prindërve në dokumentet zyrtare, për ata që dëshirojnë ta bëjnë këtë.
“Ne do marrim një nisëm ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë këtu në Angli. Do kemi përpjekje diplomatike për t’ju mundësuar të gjithë juve që rikthimin e emrit të babit dhe nënës në të gjitha rastet kur ju e dëshironi këtu. Ishte 1999 kur refugjatët nga Kosova u dyndën në Shqipëri për t’i shpëtuar kasapit të Beogradit, populli shqiptar u ngrit në këmbë për të mbrojtur çdonjërin prej shqiptarëve të Kosovës që sosën në vendin tonë me zemrën e djegur nga flakët e shtëpive dhe veç me rrobat e trupit. Ishte pikërisht në atë kohë kur shumë prej nesh që ikni nga gërmadha e piramidave u regjistruan si refugjatë politik nga Kosova”, tha Rama.
Kryeministri kritikoi edhe retorikën politike të ashpër që është përdorur ndaj shqiptarëve në Britaninë e Madhe duke u ndalur konkretisht edhe në deklaratat e rënda të ish Sekretares së Brendshme, Suella Braverman. Rama thotë se këto retorika mund të deformojë të vërtetat historike dhe se diplomacia shqiptare nuk do e lejojë më një gjë të tillë.
“Ajo teta që ju drejtonte me gisht iku nga pushteti kurse ju ja ku jeni. Në retorikën e ashpër të politikës këtu apo në Europë ku më të mëdhenjtë “nuk kanë ç’i bëjnë gomarit i bien samarit”, shqiptarët janë thjeshtë viktimat e verbërisë së luftës për pushtete. Ajo lloj retorike nuk deformon të vërtetën por mjegullon të tashmen dhe të ardhmen. Kur thuhet për udhëtarët pa viza ka ndodhur në histori nga këtej për në Shqipëri dhe jo e kundërta. Ishte koha kur Lord Bajroni dhe Edit Durhami udhëtonin drejt trojeve shqiptare dhe largoheshin të frymëzuar nga bukuria e natyra, kostumet dhe doket e vendit tonë dhe veçoritë shpirtërore të shqiptarëve. Një popull nuk ka luftuar me popujt e tjerë në tokën e tyre dhe nuk u ka mbyllur kurrë derën kur kanë kërkuar mbrojtje”, tha Rama./rtsh
Dhurata më e çmueshme e Xhensiles për Ajken vjen për Krishtl...
Kurti: Tre milionë euro investim në arsim për Komunën e Mali...
Rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan, Rama: Shprehim ngushëlli...
Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Uk...
Murati: Secili që dëshiron mund të heq dorë nga lista përfit...
Sjellja e tmerrshme e Xum Allushit ndaj banorit të ri nga Ko...