Tym dhe flakë në Kuvend, 4 deputetë të opozitës përjashtohen për 10 ditë

16:48 | 22 Nëntor 2023
E.G

Sekretariati i Etikës ka vendosur që 4 deputetë të opozitës të përjashtohen për 10 ditë nga Kuvendi i Shqipërisë, pas tensioneve dhe kaosit të shkaktuar në seancën plenare të së hënës, ku u ndezën edhe flakadanë, teksa miratohej buxheti 2024.

Të përjashtuar janë deputetët; Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi dhe Flamur Hoxha.

Më herët gjatë kësaj të mërkure, Partia Socialiste kërkoi masë ndëshkimore për pesë deputetë, Flamur Nokën, Bledion Nallbati, Gazment Bardhin, Albana Vokshin dhe Sotina Kotin.

Megjithatë, Sekretariati i Etikës nuk mori asnjë masë për deputetet Albana Vokshi dhe Sotina Koti.

Kërkesa e socialistëve vjen pas seancës së të hënës, e cila zgjati vetëm pesë minuta. Ndërsa ishte parashikuar që të ishte një seancë maratonë për të diskutuar buxhetin e 2024-ës, opozita bllokoi sërish punimet. Deputetët ndezën tymuese dhe flakadanë ndërsa një tavolinë u prek nga flakët.

“Sipas kërkesës së Partisë Socialiste, janë 5 deputetë opozitarë, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi, Albana Vokshi dhe Sotina Koti. Janë këto 5 deputetë, për të cilët Sekretariati i Etikës do të kërkojë masë disiplinore. Sekretariati i Etikës e ka për detyrë të mblidhet brenda 48 orëve, nga depozitimi i kërkesës. Kjo do të mësohet në momentin që do të njoftohet ky sekretariat dhe do të marrë vendiomin”, raportoi gazetarja e ABC News, Erneta Shevroja./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme