Turqia dhuron servera dhe pajisje të ruajtjes së të dhënave për Policinë e Shqipërisë

08:59 | 21 Dhjetor 2022
A. B.

Policia turke i ka dhuruar Policisë shqiptare servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve të Policisë së Shtetit dhe ruajtjen e të dhënave të tyre.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, ka zhvilluar një vizitë pune në Policinë e Shtetit.

Fillimisht, Aktaş është pritur në një takim “kokë më kokë” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe më pas të dyja delegacionet zhvilluan një takim pune për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e urave të reja në fushat me interes të përbashkët.

Të dy drejtorët e përgjithshëm vlerësuan marrëdhëniet mes dy policive, shkëmbimin e informacioneve për grupe dhe persona me aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave të shumëkërkuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e njohu drejtorin e Policisë turke, me prioritetet, filozofinë dhe vendosmërinë që ai ka për reformat strukturore, ligjore dhe arsimore të Policisë së Shtetit..

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, Aktaş theksoi se “sipas direktivave të Ministrit të Brendshëm të Republikës së Turqisë, sapo jemi njohur me sulmet kibernetike, kemi dërguar ekipin teknik të punës dhe sot jemi këtu për të bërë dorëzimin e disa pajisjeve të cilat do t’ju vijnë në ndihmë”.

“Ndihma jonë nuk do të ndërpritet këtu. Në të ardhmen, në kuadër të bashkëpunimit tonë, do të kemi dhe suporte akoma më të forta. Bashkëpunimi ynë është shumë i gjerë dhe një ndër fushat që kemi bashkëpunim të fortë është edhe fusha e trajnimeve dhe ofrimit të mundësisë për kurse. Bashkëpunimi do të vazhdojë në shumë fusha, si në luftën kundër terrorizmit, pastrimit të parave, krimit të organizuar etj”, tha Aktaş.

Donacioni i dhuruar nga Policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga Policia turke për Policinë shqiptare.

Të ngjashme