Turizmi ka qenë sektori më i goditur në vitin 2020 në nivel global. Pandemia, që filloi nga mesi i marsit bllokoi të gjitha udhëtimet për një periudhë disa mujore, por dhe më pas ato mbetën të kufizuara dhe vijojnë të jenë të tilla.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri u përgjysmuan, duke zbritur në 989 milionë euro. Në total, në vend kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve. Tkurrja ishte më e fortë në tremujorin e dytë dhe të tretë.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend në 2020- ra me 58.5%, pas viti i mëparshëm kishte qenë më i miri në historinë e turizmit shqiptar. Rezervimet e verës nga agjencitë e huaja në Europë, nga Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj u anuluan.
Turizmi u mbajt në këmbë nga rajoni, kryesisht shtetasit e Kosovës, të cilët shpëtuan hotelet nga rënia edhe më e thellë e të ardhurave. Në 2020-n, turistët nga Kosova zunë 52% të totalit, nga 34% një vit më parë.
Shqiptarët kursyen 915 mln euro
Ndërsa të huajt nuk kishin kufizime për të hyrë në Shqipëri që nga maji, Bashkimi Europian ndaloi udhëtimin e shtetasve shqiptarë prej mesit të marsit dhe ende nuk lejon lëvizje për qëllime turistike. INSTAT raportoi se numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga vendi në 2020-n ra me 51%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë ranë me 58% në vitin 2020, duke zbritur në 667 milionë euro.
Në total janë rreth 915 milionë euro “të kursyera”, si rrjedhojë e pamundësisë për të lëvizur.
Njësoj si me shpenzimet e shtetasve të huaj, edhe ato të shqiptarëve ranë me ritmet më të larta në tremujorin e dytë dhe të tretë. (shih grafikun: Shpenzimet e shqiptarëve jashtë sipas tremujorëve).
Bilanci mbetet pozitiv
Bilanci i turizmit (diferenca mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë) në vitin 2020 ishte pozitiv prej 321 milionë euro, por të ardhurat e munguara nga turizmi kanë dëmtuar ndjeshëm industrinë vendase.
Ulja e numrit të turistëve dhe shpenzimet e munguara të tyre çuan në krizë aktivitetin hotelier shqiptar. Sipas INSTAT, volumi i aktivitetit të këtij sektori që vitet e fundit kishte marrë hov për shkak të rritjes së numrit të turistëve, ra me 63% gjatë periudhës së karantinës.
Pas një rikuperimi në muajt e verës, por që mbeti sa dy të tretat e vitit 2019, që ishte më i miri historik për turizmin, shitjet e këtij sektori ranë sërish me 41% në muajt e fundit të vitit, pas rikthimit të pjesshëm të karantinës.
Ndalimi i udhëtimeve dhe i aktiviteteve turistike, që ende po vijon, ka bërë që edhe agjencitë e udhëtimit të jenë më të goditurat në vend nga pandemia. Ky sektor nuk po arrin të marrë veten.
Pas rënies së aktivitetit me 86% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, vera vijoi me tkurrje prej 57%, sipas INSTAT. Ndërsa në tremujorin e fundit, rënia u përshpejtua sërish në -66.4%, teksa as të huaj nuk erdhën dhe as shqiptarët nuk udhëtuan jashtë për festat e fundvitit./monitor
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...