Turistët të kënaqur me Shqipërinë, të gjithë thonë se do ta vizitonin përsëri

07:26 | 31 Gusht 2018
Arbresh.info

93% e të huajve që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit shprehen se do t’ia rekomandojnë atë miqve dhe të afërmve të tyre.

Të dhënat janë mbledhur nga projekti “Smile Albania”, i cili ka punësuar 1 mijë të rinj, të cilët ofrojnë asistencë për turistët e huaj në të gjitha pikat kufitare të vendit, si dhe në disa prej pikave turistike më të rëndësishme.

Në pyetësorin e plotësuar nga turistët e huaj në momentin e daljes nga Shqipëria, 87% e tyre janë shprehur se kanë ngelur shumë të kënaqur nga përvoja e kaluar.

Me 6.2 milionë turistë dhe 2 miliardë euro të ardhura, viti 2018 pritet të konfirmohet si viti më i suksesshëm në historinë e turizmit shqiptar.

Në shtatë muajt e parë të vitit, Shqipëria është vizituar prej 4.4 milionë shtetasve të huaj.

Projektimet zyrtare flasin se deri në fund të vitit, Shqipëria do të tërheqë 6.2 milionë turistë, të cilët do të kontribuojnë me 2 miliardë euro për ekonominë kombëtare.

Ndërsa në vitin 2017, Shqipëria tërhoqi 5.1 milionë turistë, të cilët sollën në vend 1.5 miliardë euro.

Një tjetër lajm i mirë i këtij sezoni është se përveç malit dhe detit, turistët po fokusohen gjithmonë e më shumë tek turizmi kulturor dhe ai i aventurës.

Frekuentimi i muzeumeve, kalave dhe siteve arkeologjike është rritur me 65% gjatë këtij viti, ndërsa turizmi i aventurës, ai i kajakëve, zhytjeve, paragliding dhe sporteve të tjera ekstreme ka njohur një rritje prej 30%.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme