Tritan Shehu: Covid-19, e vërteta po falsifikohet dhe po mbulohet qëllimisht

17:37 | 21 Gusht 2020
Arbresh.info

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, thotë se nëse situata e Covid-19 vazhdon me këtë menaxhim, në muajin tetor do të përballemi me katastrofën.

Ai theksoi se duhet urgjent të rritet numri i testimeve, ku të bëhen edhe falas për qytetarët, të bëhet e detyrueshme maska në ambientet e mbyllura dhe të hapura, si dhe të nisin lëvizjet për sigurimin e vaksinës.

Pse është i ulët numri i testimeve në Shqipëri?

Testimi është bazë. Te ne kanë qenë që në fillim jashtëzakonisht të ulëta. Kjo pasi ka një irracionalitet të plotë në ndjekjen, sidomos sot kur situata ka dalë jashtë kontrollit, dhe që unë e shoh katastrofale për muajt në vijim. U bllokuan të gjithë laboratorët për të bërë testime dhe u la vetëm një. Ka dyshime të mëdha edhe për këtë laborat, dhe unë e di çfarë testesh ka përdorur. Në vendet e tjera u mobilizuan të gjithë laboratorët për bërjen e testeve.

Në këtë situatë, ku jemi? Sa vlen metoda ‘testo, testo, testo’?

Situata është shumë, shumë e rëndë. Është dhjetëra herë më e rëndë se kur u mbyll vendi. Këtu te ne mbyllja u bë vetëm për show, për të tregua superioritet ndaj njerëzve, dhe nuk u përdorën metoda inteligjente. Sot kemi një situatë më të rëndë, si pasojë e dështimit. Po e lamë kështu, rrezikojmë që në muajt tetor, nëntor të shkojmë në katastrofë. Duhet bërë gjithçka, që nga testimet. Duhen testime me 5-fishin e asaj që bëjmë sot, se do na duhet pastaj të shkojmë në 10 mijë teste në ditë, jo 2500. Duhen ndjekur të gjitha rastet, gjurmimi, të aktivizohet gjithë sistemi shëndetësor, mjeku i familjes.

Pra, elementi i parë është të shtohen testimet, të aktivizohet edhe privati, të bëhen testime për qytetarët gratis. Të krijohet një skenë e përbashkët publik-privat. Duhet gjithashtu të vendoset maska, jo vetëm në ambiente të mbyllura, por edhe në ambiente të hapura.

Duhet përcaktuar edhe lloji i maskave. Duhet të kontraktohen menjëherë dozat e vaksinës për qytetarët. Shqipëria duhet të sjellë gratis për popullsinë 2 milionë doza për gripin e zakonshëm, që të vaksinohen të gjithë për gripin, ashtu si dhe 2 milionë doza për Covid-19. Nëse presim të na e sjell vaksinën OBSH, ta dini se do jetë një radhë e gjatë./News24

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme