Shina hekurudhore të lidhura me Greqinë, Maqedoninë e Malin e Zi (e si rrjedhojë edhe me rrjetin hekurudhor europian) dhe trena që ecin me 100-120 apo 140 kilometra në orë janë disa prej projekteve të transformimit të rrjetit hekurudhor shqiptar të prezantuara në Durrës.
Çështja e rehabilitimit të rrjetit rrugor dhe skemat se si do të realizohet ky rehabilitim kanë qenë objekt bisedimesh e studimesh prej vitesh, megjithatë gjatë prezantimit të projekteve qeveritare, numri dy i ministrisë së Infrastrukturës tha se tashmë këto projekte po shkojnë drejt konkretizimit.
Projekti i parë është ai që lidh Durrësin me Pogradecin e Pogradecin me Maqedoninë, përmes ndërtimit të një aksi të shkurtër hekurudhor nga pala shqiptare. Kjo lidhje, që diskutohet prej vitesh në kuadër të projektit të korridorit 8, përbën edhe aksin e vetëm hekurudhor të ri. pjesa tjetër, ka të bëjë me rehabilitimin e hekurudhave. E në këtë rast, pjesë e procesit rehabilitues të njoftuar është edhe linja hekurudhore Tiranës-Durrës-Shkodër-Mal i Zi dhe linja hekurudhore që kalon përmes Kapshticës në Greqi. Këto projekte, sipas zëvëndësministrit janë në proces avancimi konkret dhe po përfundohen termat e referencës.
Rehabilitimi, sipas zëvëndësministrit Artan Shkreli, parashikon edhe zgjerimin e bankinave të rrjetit hekurudhor shqiptar e kjo do të bëjë të mundur rritjen e shpejtësisë së trenave në mbi 100 kilometra në orë, në një kohë që aktualisht kjo shpejtësi varion në 40 kilometra në orë.
“Dua të them se të tre këto linja, jo vetëm që do të zbusin shumë transportin e brendshëm por do ta bëjnë lidhjen hekurudhore ndërkombëtare të Shqipërisë, që të mos jetë vetëm për transport mallrash por edhe njerëzish” tha Shkreli.
Po ashtu, një projekt tjetër që po studiohet, sipas zëvëndësministrit, është edhe hekurudha e Vlorës. Rivitalizimi i lidhjes hekurudhore me Vlorën, sëbashku me investimet në rrjetin rrugor apo me ndërtimin e pritshëm të aeroportit, do të bëjnë që Vlora të kthehet në një pol të rëndësishëm për turizmin por edhe për shkëmbimin e mallrave e njerëzve./SCAN
Tayna lanson projektin e ri muzikor “Obsesion”
Ndërron jetë papritmas Aulon Grabovci, nipi i politikanit të...
Ndeshja mes Francës dhe Izraelit u ndoq nga numri më i vogël...
Komuna e Vushtrrisë ndalon përdorimin e doracakëve “Edukimi ...
Kim Jong Un urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sulmues
Komuna e Prishtinës dënon shkatërrimin e pishave rreth Teatr...