“Travel and Tour World”: Shqipëria moment historik të ri në sektorin e turizmit

08:45 | 20 Shtator 2024
E.K

Shqipëria ka shënuar një vit rekord sa i përket numrit të turistëve. Kështu e nis artikullin “Travel and Tour World” (TTW), ndërsa i referohet deklaratave dhe statistikave të bëra publike nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Artikulli nënvizon se Shqipëria ka pritur pritur 8,5 milionë vizitorë deri në fund të gushtit të këtij viti, duke tejkaluar kështu shifrën e 7.5 milionëve të vitit të shkuar.

“Kjo shënon një rritje të konsiderueshme nga 7,5 milionë turistë që vizituan gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, duke shfaqur një interes në rritje për atraksionet e vendit.

Rama theksoi se Shqipëria po tërheq turistë nga destinacione të largëta, duke përfshirë vende si Meksika, Brazili, Kanadaja dhe Australia.

Ai theksoi se këta vizitorë jotradicionalë po zgjedhin gjithnjë e më shumë Shqipërinë si destinacionin e tyre të udhëtimeve”, thuhet në artikull.

Më tej, “Travel and Tour World” shkruan se përveç këtyre udhëtarëve të largët, turistë nga vende si Azerbajxhani, Kina dhe Japonia kanë vizituar gjithashtu vendin duke ndikuar në rritjen e turizmit.

“Kryeministri Rama ia atribuoi këtë nxitje atraksioneve unike të Shqipërisë, të cilat kujdesen për një gamë të larmishme tregjesh ndërkombëtare.

Ai vuri në dukje me krenari se sektori i turizmit në Shqipëri forcohet jo vetëm nga bukuria e tij natyrore, por edhe nga përvojat e pasura kulturore që ai ofron”, nënvizon artikulli.

Jo vetëm bregdeti, thuhet në artikull, por Alpet veriore madhështore, kalatë historike dhe monumentet kulturore, e bëjnë Shqipërinë një vend me shumëllojshmëri destinacionesh për vizitorët që duan të eksplorojnë.

“Gjithashtu, sipas kryeministrit Rama faktorë të tjerë kyç në nxitjen e rritjes së sektorit të turizmit janë, mikpritja e ngrohtë të hotelierëve shqiptarë, së bashku me kuzhinën fantastike të saj – duke e bërë Shqipërinë një eksperiencë të paharrueshme për turistët.

Me vitin ende në vazhdim, industria e turizmit në Shqipëri vazhdon të lulëzojë dhe shifrat pritet të vazhdojnë të rriten”, thuhet më tej në artikullin e “Travel and Tour World”./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme