Google ADS

Tragjedia e nënës shqiptare, flet burri 20 vjet më i madh: Më paralajmëroi!

19:28 | 13 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Mediat italiane po e trajtojnë gjerësisht rastin tragjik të 35 vjeçares shqiptare Elida Zero, e cila paraditen e së dielës (12 shkurt) goditi disa herë me thikë djalin e saj 7 vjeçar, ndërsa vetë u hodh nga ballkoni i katit të 8-të duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ish-bashkëshorti i shqiptares, shtetasi italian Dante Scrivano thotë se gruaja e kishte paralajmëruar aktin disa herë.

La Republica shkruan se gruaja ishte 20 vjet më e re se ai, ndërsa kishte shkuar për disa muaj për të jetuar në Francë. Ajo ishte rikthyer për të jetuar në lagjen ku edhe banonte për shkak të fëmijës.

“I thashë se fëmija kishte nevojë për stabilitet, ku të rritet në një shtëpi të qetë. Kjo ishte arsyeja se pse kam lënë banesën time dhe kam ardhur këtu. Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe ajo nuk ndihej mirë”, thotë burri italian për mediat.

Scrivano është marrë në pyetje nga policia për më shumë se 10 orë në stacionin e policisë dhe më pas është kthyer në shtëpi. Burri ka mohuar që të ishte i pranishëm në banesë në momentin e ngjarjes së rëndë në Via Bologna, duke deklaruar se kishte shkuar në një bar kafe për të pirë kafe dhe për të blerë cigare.

Sipas tij, gruaja i ka deklaruar se ka kërcënuar se do të vriste veten dhe djalin e tyre për të mos e “pasur nëpër këmbë”.

“Ne nuk i kishim punët mirë. Ajo më thoshte vazhdimisht se do të vritem e do vras edhe djalin tonë, kështu nuk do na kesh më nëpër këmbë. Kam ndërruar 9 shtëpi për 2 vite e gjysmë, por ajo vijonte të më akuzonte se kisha lidhje të tjera, por kjo nuk është e vërtetë. Unë gjithmonë e kam ndihmuar, por arritëm deri tek ndarja për shkak të akuzave të saj, ishte kthyer në një adoleshente”.

56- vjeçari italian ka kaluar disa vite në burg, ndërsa arrestimi i fundit daton në vitin 2010. Gruaja sipas mediave italiane, dy vite më parë kishte denoncuar keqtrajtimin nga bashkëshorti, por megjithatë, 35 vjeçarja nuk kishte hequr dorë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme