Topalli: Basha, garë të rremë, do të grabisë mandatin

21:00 | 30 Qershor 2017
Arbresh.info

Jozefina Topalli nuk firmosi asnjë prej deklaratave të drejtuesve aktualë dhe ish-drejtuesve të Partisë Demokratike për dorëheqjen e Lulzim Bashës.

Por tani, ish-nënkryetarja demokrate është edhe publikisht bashkë me ata që mendojnë se në PD nuk po zhvillohet një garë e barabartë.

“Ringritja e PD dhe revanshi i saj politik fillon vetëm me largimin e zotit Basha. Basha nuk pranon garë, nuk pranon proces të hapur dhe transparent, nuk pranon konkurrentë të vërtetë as idesh dhe as personalitetesh. Ai nuk pranon as ballafaqim dhe as debat”, tha Topalli në një deklaratë për mediat.

Në deklaratën e Jozefina Topallit kishte nota të qarta që akuzonin Bashën për vënien e opozitës në shërbim të fitores së Edi Ramës.

“Zoti Basha është katastrofa e PD. Falë strategjisë së gabuar, opozitës së përciptë, ‘fake opposition’ ndoshta, ai rrëzoi në gjunjë PD dhe i dha ndihmë zotit Rama, bashkudhëtarit dhe mikut të orëve të vona të kësaj vere, për fitoren e tij. Rama i kërkoi marrëveshje që të bëhej timonier dhe Basha e deshi aq shumë sa e bëri kondotier”, tha Topalli.

Për herë të parë pas 4 vitesh kritike individuale ndaj Bashës, Jozefina Topalli foli edhe në emër të kritikëve të tjerë, duke kërkuar rregulla për garë të barabartë.

“Ne kërkojmë në fakt respektimin e forumeve drejtuese sipas statutit. Të gjitha këto janë kushte të panegociueshme të procesit. Pa to në PD nuk mund të ketë garë. Nga ‘fake opposition’ nuk mumd të shkojmë në ‘fake race’. Sa më shpejt të kuptojë Basha këtë, aq më shpejt do të vijë ngritja e PD”, nënvizoi Topalli.

Por ish-nënkryetarja e PD, e cila u bëri thirrje demokratëve të bashkohen për të ndaluar atë që e quan pengmarrje të Partisë Demokratike, kishte edhe një kërkesë për Bashën.

“I kërkoj zotit Basha të ndërpresë menjëherë paligjshmërinë dhe pengmarrjen e partisë përpara se të përballet me zemërimin dhe revoltën e demokratëve. Të kuptojë sa më shpejt se demokratët do të dinë të mbrojnë partinë e tyre dhe historinë e tyre”, shtoi Topalli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme