Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair është angazhuar sërish për t’i ofruar këshillim qeverisë shqiptare përmes institutit të drejtuar prej tij “Tony Blair Institute for Global Change”. Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, “Tony Blair Institute” kërkon të punësojë një këshilltar të lartë për të punuar me qeverinë shqiptare, me qëllim “çuarjen përpara të një axhende ambicioze transformimi” të vendosur nga kryeministri dhe zv.kryeministrja.
Sipas njoftimit, “Tony Blair Institute” pritet të angazhohet në reformat e sektorit publik, përfshirë axhendën politike kombëtare, transformimin dixhital, reformën e energjisë dhe transformimin e qeverisë shqiptare.
“Këshilltari do të punojë ngushtë me homologët e qeverisë në zyrën e Kryeministrit dhe ministritë dhe agjencitë përkatëse,” thuhet në njoftimin e “Tony Blair Institute”.
Mes fushave të përgjegjësisë së këshilltarit renditen këshillat strategjike mbi çështje të politikës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare si dhe metodat e komunikimit dhe PR-it për të promovuar ‘sukseset e projekteve në publik”.
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair e themeloi organizatën jo-fitimprurëse “Tony Blair Institute for Global Change” në vitin 2016 dhe punon aktualisht me 20 vende të botës, kryesisht shtete të Afrikës.
Blair e ka këshilluar edhe më herët qeverinë e kryeministrit Edi Rama përmes “Tony Blair Associates”- një bashkëpunim që filloi në vitin 2013 dhe u deklarua i mbyllur në vitin 2016. Megjithatë, puna e Blair në Shqipëri mbeti mister dhe nuk u zbulua kurrë realisht.
Ndërkohë, studioja ligjore e Cherrie Blair fitoi gjithashtu kontrata nga qeveria shqiptare në kohën që bashkëshorti i saj ishte këshilltar.
I pyetur nga BIRN mbi kushtet e këshillimit të qeverisë shqiptare nga Instituti i drejtuar nga Tony Blair, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga tha se ajo nuk i kushtonte asgjë shqiptarëve.
“Nuk kemi asnjë marrëveshje financuese,” tha Fuga në një përgjigje përmes aplikacionit Ëhatsapp.
“Herë pas here ata ofrojnë konsulencë falas. Ne s’paguajmë gjë. Taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë gjë,” shtoi ai, duke mohuar edhe ekzistencën e një marrëveshjeje të firmosur.
Tony Blair është kryeministri më jetëgjatë laburist i Britanisë së Madhe, i cili shërbeu nga viti 1997 deri në vitin 2007. Më pas ai punoi si lobist dhe këshilltar për qeveritë e ndryshme të botës, një punë që e bëri atë të pasur, por gjithashtu të kritikuar në Mbretërinë e Bashkuar. /birn/
Ndahen pagat për shërbyesit publikë, si dhe shtesat për fëmi...
KQZ-ja hap thirrjen për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhj...
Zelensky: Ukraina do ta ndihmojë Sirinë
“Po edhe shumë”, Driloni më në fund pranon pëlqimin për Sarë...
Real Madridi ende synon transferimin e Haaland – gjithçka va...
Pacienti vdiq, tre mjekë në Fier hetohen për trajtim jo të d...