Tjetër investitor strategjik në Jug të Shqipërisë, “Gjikuria” përfiton 9 mijë m2 tokë për 1 €

22:02 | 17 Gusht 2022
E.H

Këshilli i Ministrave në Shqipëri, ka vendosur të heqë dorë nga 9 mijë metra katrorë tokë në brigjet e fshatit Dhërmi dhe Gjilekë për t’ia dhënë në përdorim ndërtimit të një tjetër resorti në Jug.

Kompania ‘Gjikuria’ ka arritur të marrë disa muaj më parë statusin e Investitorit strategjik për projektin “White Roads Hotel”.

Përgjatë 12 mijë metrave do të ndërtohen 150 njësi akomodimi, duke përfshirë një hotel, bare dhe restorante.

Në total vlera e investimit të projektit është 10 milionë euro, shkruan euronews.al.

Investitori ka në pronësi të tij 3000 m2, ndërsa shteti do t’i japë në përdorim me qira afatgjatë 9 mijë metra kundrejt tarifës simbolike 1 euro.

Qeveria nuk ka miratuar të plotë kërkesën e investitorit për të shfrytëzuar për 30 vjet plazhin përballë kompleksit.

Vetë Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar me kusht këtë pikë, pasi duhet që koordinatat e zonës të përcaktohen qartë nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura pasi ndodhen në kufi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”.

Kompania ‘Gjikuria’ përfitoi në shkurt të vitit të kaluar lejen dhe statusin strategjik për një tjetër projekt përgjatë zonës Perivolo në Dhërmi për ndërtimin e 3 hoteleve, vilave dhe rinovimin e 40 shtëpive.

Në total janë 30 projekte në fushën e turizmit që kanë marrë statusin e investitorit strategjik, shumica e të cilave kanë si vendndodhje brigjet e detit Jon.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme