Në Tiranë, Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë dhe Fondacioni Fridrih Ebert zhvilluan një konferencë me profesorë europianë mbi Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri.
Studiuesit vendas pohuan se Shqipëria është ende në hapat e para në këtë fushë, ndërsa rreziqet janë përherë e më të shtuara.
Një nga këto rreziqe, pohuan ata, është penetrimi i Rusisë në mediat sociale, krahas radikalizmit dhe terrorizmit online.
Zhvillimi i shpejtë i shërbimeve online në Shqipëri, ose si quhet ndryshe qeverisja elektronike, po sjell me vete edhe rrezikun e sulmeve kibernetike.
Siguria e kibernetike është një sfidë e re për të gjithë, aq më tepër Shqipëria, e cila, sipas studiuesit të çështjeve të sigurisë, Henri Hide, ka mungesa themelore në çështje të sigurisë kombëtare si katastrofat, sulmet terroriste, sigurisë njerëzore dhe asaj ekonomike.
“Ne po shkojmë drejt e-government, pra drejt qeverisjes elektronike, kështu që kjo kërkon forcimin e kapaciteteve për t’u mbrojtur nga aktorët e huaj, që janë gjithnjë e më të aftë, më të saktë e më të përgatitur. Kjo kërkon mbi të gjitha një bashkëpunim me partnerët, sepse ne nuk i kemi ato kapacitete. NATO ka kapacitete shumë herë më të sofistikuara dhe të testuara në shumë raste në shumë terrene. Duhet ngritur një vëmendje dhe një ndërgjegjësim më të madh për interesat e Rusisë, një aktor i ri në Ballkan, që po penetron në fusha jotradicionale të sigurisë si siguria kibernetike” – tha zoti Hide.
Shqipëria është në hapat e para të studimit të kësaj fushe sipas koncepteve të sigurisë kombëtare, thotë Arben Çejku, drejtuesi i Qendrës për Qeverisje të Mirë, dhe institucionet e sigurisë kibernetike janë në një periudhë riorganizimi.
Administrata, sipas tij, ka përgjegjësi për mbrojtjen e qytetarëve të vet, konsumatorëve, firmave, bizneseve dhe insitucioneve shtetërore vendase dhe atyre partnere.
“Çdo gjë që kalon në online dhe në kompjuter është e rrezikuar, prandaj apeli i kësaj konference dhe studiuesve është që qeveria shqiptare duhet të marrë masa dhe të krijojë menjëherë mundësira konkrete për mbrojtjen e qytetarëve nga këto lloj sulmesh dhe nga ana tjetër të forcojë bashkëpunimin me NATO-n në forma më të mira e më të qarta për sigurinë kibernetike, e cila është një nga shtyllat kryesore të sigurisë sonë kombëtare” – tha zoti Çejku.
Analistët pohojnë se aktorë me rëndësi si Rusia po përpiqen që të penetrojnë në këtë fushë të re, dhe janë shumë të përgatitur në kapacitete, burime njerëzore, përvojë dhe aftësi teknologjike.
Shqipëria ka edhe sfidën e terrorizmit online, me aktorë terroristë, që përpiqen të rekrutojnë individë apo të sjellin dëme me përdorimin e mediave online dhe mediave sociale.
Nga krimi i thjeshtë kibernetik situatat kanë shkuar tek nevoja për siguri kibernetike në infrastrukturës kritike, pohojnë studiuesit.
Kjo është një fushë e pastudiuar ende sa duhet nga shqiptarët, thotë zoti Hide, dhe se ata ende nuk janë plotësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe rreziqet, që po vijnë nga kjo fushë.
“Mendoj se ka një vetëdije për këto rreziqe, e cila këtu është në faza minimale. Shqipëria mendon se ka qenë e izoluar dhe do të mbetet e izoluar dhe se aktorë të tjerë nuk janë të interesuar. Por kjo është një dukuri globale dhe janë aktorët globalë ata që interesohen për gjithë të tjerët. Ka disa raste që tregojnë se ka një rritje të vëmendjes të aktorëve si Rusia për të penetruar në Ballkan me dy mënyra: një, përmes mediave, e mediave online sidomos, dhe së dyti, përmes sulmeve kibernetike. Të dyja këto lidhen me sigurinë kibernetike dhe mendoj se faktorët shtetërorë shqiptarë duhet të forcojnë kapacitetet në këtë drejtim” – tha zoti Hide.
Shqipëria ka një ligj të ri për krimin kibernetik, por kjo nuk mjafton, sepse realiteti është një sfidë e përditshme me terrorizmin dhe radikalizmin online, por institucionet shtetërore nuk janë ende të përgatitura për t’u përballur.
“Lufta kibernetike është një beteë reale, që zhvillohet në sektorët privatë dhe në institucionet shtetërore. Në fakt, Shqipëria është në hapat e para dhe ka shumë nevojë të ndihmohet jo thjesht nga ana teorike, por duhet të marrë masa urgjente praktike për të rritur kapacitet dhe për të parandaluar sulme të mundshme” – tha zoti Çejku.
Ekspertët pohojnë se kjo është një fushë shumë-dimensionale dhe kërkon një përgjigje shumë-di mensionale.
Nuk mjafton një njësi e vetme pranë ndonjë institucioni, por kërkohet, sipas tyre, një koordinim nga të gjithë aktorët në kohë reale, rritja e kapaciteteve teknologjike dhe aftësisë për t’u përballur me këto lloj sfidash të reja të sigurisë.
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës