Tiranë, sekuestrohen llogari bankare prej 1.5 milionë eurosh

15:03 | 4 Korrik 2018
Arbresh.info

Shqipëria po shikohet gjithnjë e më shumë si një vend ku mund të pastrohen lehtësisht para nga shtetasit e huaj.

Së fundmi, një hetim i Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit ka çuar në sekuestrimin e llogarive bankare, si dhe të aseteve, në vlerën e 1.5 milionë eurove, të ardhura këto të dyshuara nga aktivitet kriminal dhe burime të dyshimta.

Bëhet fjalë për shtetasin italian, Stefano Lorenzi, i cili kishte krijuar një shoqëri në vendin tonë me objekt veprimtarie në fushën e tregtisë ndërkombëtare. Ky shtetas, me precedentë të ndryshëm penalë në Itali për deklarata mashtruese dhe krime në fushën e tatimeve, ka përfituar për një periudhë të shkurtër kohore sasi të konsiderueshme në euro nga shoqëri të huaja, e një pjesë të tyre i ka transferuar në vende të ndryshme si Hong Kong, Kinë dhe Itali.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i konstatuar kohët e fundit. Në muajin maj, Prokuroria e Tiranës zbuloi një tjetër skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave, kësaj radhe nga dy shtetas norvegjezë, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pastruar mbi 800 mijë euro, që dyshohen se ishin krijuar nga skema mashtrimi.

Për rastin e fundit është kërkuar informacion edhe nga autoritetet italiane, për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në pastrimin e parave./top channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme