Google ADS

Tiranë, qeveria reagon mbi transportin e dyshuar si “mbetje të rrezikshme” drejt Kinës dhe Tajlandës

20:51 | 24 Gusht 2024
R J

Qeveria shqiptare hodhi poshtë komentet se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara për transport të parregullt drejt Tajlandës dhe Kinës të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga proceset teknologjike në Shqipëri dhe Kosovë.

Në deklaratën e përbashkët nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit të shtunën theksohet se dy operatorët ekonomikë, njëri në Shqipëri dhe tjetri në Kosovë, po bëjnë përpjekje të dukshme për t’iu shmangur përgjegjësive, ndaj “pritja e rezultatit të hetimeve dhe analizave përkatëse do të ishte më mirë se sa të ngarkohen me përgjegjësi agjencitë ligjzbatuese”.

Qeveria deklaroi të shtunën se strukturat shtetërore nisën menjëherë një shkëmbim intensiv informacioni si dhe një hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit) “qysh prej momentit të parë të sinjalizimit të këtyre dyshimeve” muajin e kaluar.

Në deklaratë thuhet se në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, “janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave konteinerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë” dhe “nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së, ku kanë ndaluar dhe janë magazinuar përkohësisht, por janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre”.

Ashtu si edhe ngarkesa të ngjashme në të kaluarën, edhe dy në proceset e fundit, theksohet në deklaratë, “mallra me klasifikim të tillë nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme nga organet doganore dhe mjedisore”.

“Këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme (IMDG Code) dhe për pasojë nuk mund të aludohet për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare” thuhet në deklaratë, ku theksohet se falë përvojës me protokollet e kësaj fushe të autoriteteve portuale shqiptare, “Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurtë, pasi është është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit”.

Në 10 muajt e fundit autoritetet doganore kineze kanë pranuar 360 njësi konteinerike dhe “ngarkesa të tilla janë pranuar rregullisht nga vendet tranzit dhe nga vendet e destinacionit fundor”, thuhet në deklaratë.

“Nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, thuhet në deklaratë.

Hetimet e organeve ligjzbatuese duhen pritur, sipas deklaratës, edhe në rastin kur ngarkesa duhet deklaruar si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme, gjë që është detyrim i eksportuesit apo importuesit me dokumenta, analiza dhe autorizime, sipas konventave ndërkombëtare.

Dy ministritë theksuan se prej disa ditësh “disa burime mediatike të caktuara” përmes “lajmeve toksike” po bëjnë aludime për “mallra të rrezikshme”, që kanë dalë nga Shqipëria, dhe “pa pritur rezultatet e hetimeve” po denigrojnë agjencitë ligjzbatuese përmes “fabrikimeve e të akuzave të pandalura”.

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), mbi më shumë se 800 ton mbetje që dyshohet të jenë të rrezikshme, të ngarkuara në 100 kontenierë të nisur nga Porti i Durrësit në fillim të muajit korrik.

Hetimi ka nisur mbi dyshimet për kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara mbi materialet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ndërsa Drejtoria e Policisë së Durrësit ka dorëzuar një tjetër material hetimor nën dyshimet për transportim të mbetjeve dhe shpërdorim i detyrës./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm