Tiranë: Opozita shpreson zgjedhje të parakohshme, qeveria dialog në institucione

22:38 | 29 Shtator 2019
Arbresh.info

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës po përgatit degët e saj për zgjedhje të parakohshme, sipas të dhënave nga një mbledhje e sotme.

Opozita ka vlerësuar se kriza politike mund të kapërcehet me zgjedhje parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë.

Socialistët i kanë ftuar opozitarët për dialog në institucione, duke theksuar se zgjedhjet e radhës do të mbahen në afatin e parashikuar në fund të mandatit.

Kryesia e Partisë Demokratike të opozitës dhe pjesëtarët e ish-grupit të saj parlamentar zhvilluan sot një mbledhje, ku u diskutua angazhimi më i madh i strukturave vendore partiake.

Kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha, sipas të dhënave nga mbledhja u ka kërkuar gjithë të pranishmëve të shpërndahen sa më shpejt në qarqe dhe të shtojnë e rijetësojnë anëtarësinë e partisë.

Zoti Basha ka thënë, sipas burimeve të besueshme, se partia demokratike duhet përgatitur për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë, ndaj e gjithë partia zbret në terren për takime me qytetarët.

Ai ka thënë se kriza e thellë politike e Shqipërisë mund të zgjidhet vetëm nga zgjedhjet e parakohshme

Sipas tij, raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe rezoluta e Bundestagut janë skanimi i vërtetë i situatës, ndaj zgjidhja e krizës mbetet qëllimi kryesor i opozitës, dhe se kjo vjen vetëm me duke iu drejtuar sovranit me zgjedhje të lira e të drejta.

Zoti Basha ka shprehur shpresën që deri nga mesi i tetorit nuk do të ketë ndërhyrje negative sa u takon vendimeve të BE-së për fatin e negociatave me Shqipërinë.

Por ai ka theksuar se askush të mos ruajë iluzione se aksioni opozitar do të ndërpritet apo se opozita do të tërhiqet, por krahas lëvizjes opozitare, Partia Demokratike programin dhe alternativën qeverisëse.

Kështu pjesëmarrës në mbledhje kanë lënë të kutphet se deri më 18 tetor nuk do të ketë protesta, ndonëse kërkesa dhe gatishmëria e qytetarëve është e lartë, se së shpejti ka zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore dhe se degët e partisë duhet të përgatiten.

Krahas pritshmërive nga BE për integrimin, një tjetër arsye pse Partia Demokratike po ruan durimin në këtë periudhë është edhe klima e brishtë e dialogut që sapo nisi në tryezën e organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore. Pra, pezullimi i protestave erdhi për shkak të dialogut për reformën zgjedhore.

Pjesëmarrës në mbledhjen e pd-së pohuan se opozita e sheh reformën zgjedhore si hapi i parë për zgjidhjen e krizës politike dhe zgjedhje të parakohshme, ndaj nuk dëshiron të fajësohet për dëmtimin e këtij procesi dialogu.

Partia Demokratike ka thënë se komisioni parlamentar i reformës zgjedhore është jolegjitim, dhe ajo propozon një komision me përfaqësues nga partitë kryesore dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Krahas këtyre, Partia Demokratike po punon për një paketa anti-krizë, që mban në qendër të vëmendjes luftën ndaj krimit dhe rritjen e ekonomisë.

Opozita ka vlerësuar se kriza politike është e thellë shumëplanëshe dhe nuk duhet humbur kohë me përgatitjet parazgjedhore, ndaj po ngre një shtab elektoral në qendër, i cili do të shtrihet në gjithë vendin.

Shumica socialiste ka hedhur poshtë kërkesat e opozitës për një komision për reformë zgjedhore me pjesëmarrje të ndërkombëtarëve, dhe i fton opozitarët për dialog në institucione, duke mohuar edhe praninë e një krize politike në kryeqytet.

Socialistët po vazhdojnë qeverisjen e tyre në nivel qendror dhe vendor, duke hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Ata nuk u dukën të shqetësuar, madje u shfaqën entuziastë nga kërkesat e parlamentit gjerman për reformën gjyqësore dhe ndjekjen penale të zyrtarëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme