Në Tiranë, Kuvendi po debaton mes tensioneve politike prej dy ditësh mbi buxhetin e ri të shtetit. Studiues të ekonomisë pohuan për Zërin e Amerikës se nga një anë buxheti i ri projekton investime të shumta në infrastrukturë dhe rritje pagash, por nga ana tjetër vlerësojnë se rritja ekonomike është e pamjaftueshme për të mbështetur programe mirëqenie të dukshme për qytetarët, ndonëse parametrat makro-ekonomike duken të qëndrueshme.
Studiuesit e ekonomisë shqiptare vlerësojnë si tipar të zakonshëm faktin që buxheti i vitit të ardhshëm është në shifra më i madh se vitet e kaluara, por theksojnë se vlera e vërtetë e një buxheti shihet tek politikat ekonomike e sociale që ai mbështet dhe tek aftësia për të mbledhur sa më shumë të ardhura, por kjo sasi e të ardhurave është thuajse e pandryshuar në krahasim me vitet e kaluara në raport me Prodhimin e Brendshëm.
Studiuesi Selami Xhepa thotë për Zërin e Amerikës se një nga problemet më serioze të ekonomisë së Shqipërisë ka qenë dhe mbetet paaftësia për të rritur të ardhurat e buxhetit të shtetit në raport me rritjen e ekonomisë.
“Të ardhurat janë rritur nga 27 – 29 për qind e Prodhimit të Brendshëm, duke qenë shumë më prapa se sa vendet e tjera të rajonit dhe duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e qeverisë për të ndërmarrë politika më agresive sociale apo të zhvillimit të ekonomisë. Për vitin 2025 buxheti duket qartazi që është buxheti i një viti elektoral, sepse rritja e të ardhurave është parashikuar të jetë më modeste krahasuar me vitet e kaluara, pra kemi një shtesë gati 400 milionë euro më shumë, që për vitin aktual kaq ishte rritja e korrektuar e të ardhurave të bërë në gjysmën e dytë të këtij viti”, thotë prof.dr. Selami Xhepa.
Ekspertët vlerësojnë faktin që që deficiti buxhetor është i ulët dhe në rënie, se borxhi i jashtëm, borxhi publik është në një tendencë rënie, sipas kërkesave të buxhetit afatmesëm trevjeçar.
Buxheti për mbrojtjen rritet në 2.1 për qind, po ashtu vijon politika e rritjes së pagave kryesisht në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe mbështetja për pushtetin vendor.
Ndërsa studiuesi Adrian Civici, nënvizon rritjen e ndjeshme të investimeve publike vitin tjetër.
“Buxheti 2025 është një buxhet i ekuilibruar, që pasqyron disa elementë të rëndësishëm; së pari do të veçoja shifrën e lartë të investimeve publike të parashikuara për vitin e ardhshëm prej 6.1 për qind të buxhetit. Historikisht gjithmonë është thënë se shifra prej 5 për qind e GDP-së për investime publike është një shifër që duhet respektuar patjetër. Fakti që këtë herë është menduar 6.1 për qind tregon për gjerësinë që kanë investimet publike në politikat e vitit të ardhshëm”, thotë për Zërin e Amerikës prof.dr. Adrian Civici.
Studiuesit pohuan se parametrat makroekonomikë janë të qëndrueshëm dhe kjo qëndrueshmëri mund të forcohet më tej, krahas një sistemi fiskal dhe tatimor më të konsoliduar e pa luhatje të taksave dhe tatimeve.
Por profesor Xhepa thekson se rritja ekonomike duhet të jetë të paktën 6 për qind, ndërsa rritja aktuale 3.5-4 për qind është e pamjaftueshme dhe pamundëson politika sociale më aktive, programe mirëqenie për qytetarët, ndaj ata nuk e ndjejnë drejtpërdrejt si përfitues rritjen apo zhvillimin ekonomik, i cili duket i qëndrueshëm në statistika.
“Një rritje prej 4 për qind është mjaft e ulët për nevojat e Shqipërisë, e cila është në një proces dhe duhet të hyjë në një proces konvergjence të të ardhurave të saj me të ardhurat e Bashkimit Europian, që do të thotë që nëse nuk i përshpejtojmë këto ritme të rritjes, atëherë ne do të vazhdojmë që të ngelemi përsëri diku tek 35 për qind e mesatares së të ardhurave të vendeve të Bashkimit Europian, çka është një indikator që rritja ekonomike e vendit nuk përkthehet dot asnjëherë në mirëqenie dhe në përmirësim të standarteve të jetesës së shoqërisë tonë”, thotë zoti Xhepa.
Nga ana tjetër, profesor Civici kujton se tërmeti i nëntorit 2019 dhe Pandemia Covid i shkaktuan Shqipërisë një rënie të thellë ekonomike gjatë viteve 2020- 2021, një krizë prej nga ajo doli shpejt aktualisht është kthyer, sipas tij, në rrugën e një rritje normale hap pas hapi.
“Fakt është që rritja ekonomike është shumë e mbështetur dhe e ushqyer dhe nga sektori i turizmit, që këto dy vitet e fundit ka qenë shumë kontribues në rritjen ekonomike nga sektori i ndërtimit dhe nga konsumi, ndërkohë që sektorë të rëndësishëm si sektori industrial, bujqësia, agro-përpunimi apo sektorë të tjerë nuk është se kanë ndonjë kontribut me peshë në rritjen ekonomike dhe sidomos akoma mbetet për të bërë shumë më tepër në sektorët me vlerë të lartë të shtuar që përdorin teknologji të lartë”, thotë zoti Civici.
Aktualisht investimet e huaja në Shqipëri janë rreth 1 miliardë euro në vit dhe me rritje të vazhdueshme, por studiuesit besojnë se duke përmirësuar klimën e biznesit, Shqipëria mund të nxitë më tej investime të huaja më cilësore në industritë e teknologjive të reja, për ta bërë atë pjesë të ekonomisë botërore dhe për ta përfshirë atë në zinxhrin global të prodhimeve me peshë rajonale e ndërkombëtare, por që nga ana tjetër kërkojnë ndërmjet të tjerave edhe një kapital njerëzor më të përgatitur profesionalisht./voa/
Miratohet me 75 vota pro në Kuvend buxheti i Shqipërisë për ...
Taksa mbi asetet e trashëguara bujqësore/ Fermerët në Britan...
Elshani: Personit të cilit i është gjetë armatimi lidhet me ...
Vuçiq konfirmon se do të vizitojë Moskën në maj
“Unë nuk kam ardhur këtu për të vuajtur për dashuri”, Lela n...
Shqipëria pëson dy gola për 10 minuta