Në Shqipëri do të themelohet shumë shpejt qendra e edukimit të studentëve të mikpritjes, që do të ketë në fokus edukimin turistik.
Kështu ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, në një konferencë për investime në turizëm dhe zhvillimin ekonomik të Evropës dhe Shqipërisë.
Ky organizim është zhvilluar për tri ditë në Tiranë.
“Mund të kemi miliona turistë, por kush do t’iu shërbejë? Këtu kthehemi te kapitali njerëzor. Çdo 10-20 dollarë të investuar në edukim, kthehen shumëfish mbrapa. Kemi rënë dakord me kryeministrin [e Shqipërisë, Edi Rama] që do të krijojmë një qendër edukimi në Shqipëri që do t’i shërbejë rajonit. Shkollat i kemi në Evropë, por kjo nuk është e përballueshme për të gjithë. Në partneritet me emra të mëdhenj, kemi përgatitur akademinë tonë. Kemi prani në shumë vende, dhe duam që të jemi edhe në Tiranë”, tha Pololikashvili, i cili ftoi kompanitë ndërkombëtare të investojnë në Shqipëri.
Vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një bum në sektorin e turizmit, por shqetësim mbetet mungesa e punëtorëve në këtë sektor.
Drejtuesja e Organizatës Botërore të Turizmit, Natalia Bayona, tha se Shqipëria është vendi që po shënon 53 për qind rritje në sektorin e turizmit, më shumë sesa gjithë Evropa.
Ajo ofroi bashkëpunim për të gjetur mundësitë e duhura për t’i dhënë vlerën që meriton ky sektor i rëndësishëm për ekonominë.
Ministri i Ekonomisë i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, tha se do të ekzistojë një paketë e re zhvillimi për turizmin, dhe në fokus do të jetë kthimi i emigrantëve në veri.
“Po punojmë për një program të ri për turizmin malor dhe për zhvillimin e zonave malore. Duam ta shtrijmë turizmin në të gjithë vendin dhe përgjatë gjithë vitit. Po bëjmë një paketë, mendojmë ta quajmë ‘investo në tokën tande’ për pjesën e veriut, ku do të thërrasim emigrantët, do i nxisim të investojnë në zonat e largëta, dhe do të kenë shumë lehtësi”, tha ministri Gonxhja.
Ministrja e Turizmit në Shqipëri, Mirela Kumbaro Furxhi tha se Shqipëria po hyn në një epokë të re sa i takon turizmit.
“Bumi turistik, vizitorët nga e gjithë bota dhe fitimi i 4.2 miliardë eurove në vitin e kaluar, vetëm nga ky sektor, e kanë kthyer turizmin në industri”, tha ajo.
Deri në fund të muajit mars të këtij viti, Shqipërinë e kanë vizituar 1.7 milion turistë, shifër rekorde krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit 2023, këtë vend e kanë vizituar 10 milionë turistë./rel
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...