Në Tiranë, nisën festimet e Vitit të Ri 2022, duke ulur ndjeshëm masat mbrojtëse të kundër Pandemisë Covid 19.
Atmosfera festive i shtyu mijëra banorë që të lënë pas dore kujdesin shëndetësor ndaj koronavirusit.
Mjekët nga ana e tyre pohojnë që, pas një vale festimesh masive, vjen me siguri një valë e re infektimesh masive, si dhe shtohen rastet urgjente nëpër spitale të pacientëve me Covid.
Në mesin e pandemisë, ndërsa koronavirusi ndryshon formë; herë si Covid, herë si Delta, herë si Omicron, pjesa më e madhe e qytetarëve në Tiranë edhe me gjerë në Shqipëri vazhdojnë jetesën dhe mbijetesën e tyre, duke nënvlerësuar masat mbrojtëse kundër epidemisë, që vazhdon të përhapet dhe të marrë jetë njerëzish.
Por mjeku i njohur epidemiolog, Ilir Alimehmeti, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, thotë se shifrat dhe imuniteti natyral apo artificial prej vaksinave nuk duhet të ulin kujdesin e qytetarëve për t’u mbrojtur nga Covid, sepse shifrat janë masive, ndërsa dëmtimet janë individuale.
“Imuniteti i publikut tonë ka mbërritur për tubime jo më shumë se 100 vetë. Kur u hapën shkollat dhe universitetet nuk pati ndonjë kapërcim të infektimeve, por kjo ndodhi sapo u mbush stadiumi me mijëra vetë. Vaksina është e siguruar dhe tani gjithçka e kanë vet qytetarët në dorë” – thotë mjeku Alimehmeti.
Gjendja është e pakrahasueshme me një vit më parë, kur bllokimi i banorëve në banesa dhe në qarkullimin rrugor, maskat dhe pelerinat e mjekëve dhe udhëtarëve kudo ofronin një pamje të zymta.
Ndërsa sot është arritur një imunitet masiv, janë kryer një numër i konsiderueshëm vaksinash, sepse vaksina ka me shumicë, edhe pse nënvlerësohen nga qytetarët.
“Statistikat e vaksinimit janë të pasakta për shkak të lëvizjes së opullatës brenda dhe jashtë vendit. Shifrat që përdoren i përkasin regjistrimit të popullatës në vitin 2011. Shumica e shqiptarëve që udhëtojnë dhe jetojnë jashtë vendit tashmë janë vaksinuar nga shtete të tjerë, ndonëse këtu figurojnë gabimisht sit ë pavaksinuar ende” – thotë zoti Alimehmeti.
Mjekët ende janë të shqetësuar për pandeminë dhe, sipas tyre, shenja optimizmi mund të duken vetëm nga pranvera, e cila është ende edhe disa muaj larg.
Aktualisht shtrimet në spitale të pacientëve me Covid janë të përgjysmuar sot krahasuar me nëntorin, kur shtrimet ishin rreth 180 persona mesatarisht.
Megjithatë, sipas mjekëve, kjo nuk duhet të zbehë kujdesin e qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor.
Festat kombëtare dhe tubimet tradicionale, pohojnë ekspertët, duhen respektuar nën masa shëndetësore të përpikta, duke lënë pas rregulla tashmë absurde, si ndalimi i qarkullimit pas mesnatës, ndërkohë që gjatë ditës masat nuk respektohen dhe imuniteti i popullatës po rritet./VOA/
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...
Real Madridi gjen më në fund zëvendësuesin e Toni Kroosit, s...
Magjistralja Ferizaj-Prishtinë vërshohet nga uji