Google ADS

Tirana feston 97-vjetorin e shpalljes kryeqytet (Foto)

18:48 | 11 Shkurt 2017
Arbresh.info

Në kuadër të 97-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh të rëndësishme.

Fillimisht nënkryetarët e Bashkisë, Andi Seferi dhe Abaz Hado, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të familjeve tiranase, zbuluan në zonën e Kasharit pllakatën përkujtimore në nder të asaj dite ku qytetarët e Tiranës dhe drejtues të Bashkisë morën në mbrojtje përfaqësuesit e organeve drejtuese të shtetit shqiptar të zgjedhur nga Kongresi i Lushnjes.

 Ndërkaq, në sallën “Lumo Skëndo” të Bibliotekës Kombëtare u zhvillua edhe një konferencë shkencore, ku morën pjesë historianë dhe përfaqësues të familjeve të vjetra të kryeqytetit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi u shpreh se ky 97-vjetor e gjen Tiranën një qytet ku punohet çdo ditë me përkushtim për ndërtimin e një qyteti evropian. “Siç e keni parë Tirana ka filluar të lëvizë, punohet në çdo lagje, në çdo rrugë, në parqe, lulishte, me shtimin e sipërfaqeve publike; pak nga pak jemi duke çuar përpara atë që u nis në 1920. Sfidat që kemi përpara sot janë pa dyshim të ndryshme me ato të 1920, nuk rrezikojmë as luftë, as ndryshim kufijsh, por thelbësore është që duam të ndërtojmë një qytet evropian. Është një projekt ku duhet ndihma e çdo banori të Tiranës”, tha Seferi.

Ai deklaroi se kryeqyteti, përgjatë gjithë këtyre viteve, ka mirëpritur me bujari qytetarë nga të gjitha zonat e vendit, duke u dhënë një mundësi për një jetë më të mirë.

“Është e njëjta frymë bujarie dhe solidariteti mbi të cilën u ngrit Tirana, qysh në fillimet e saj, e njëjta frymë me të cilën Tirana ka mirëpritur dhjetëra e qindra mijëra qytetarë nga çdo anë e Shqipërisë, të cilët kanë gjetur strehë dhe mundësi për një jetë më të mirë”, tha nënkryetari i Bashkisë.

Seferi u shpreh se Tirana i ka të gjitha mundësitë që të bëhet qendra më e bukur e rajonit. “Projektet e mëdha infrastrukturore për të cilat po punohet, janë në fakt veç një element i transformimit të Tiranës. Po punohet me vrull e vendosmëri edhe për të transformuar shumë shërbime të tjera si ndërtimin e shkollave, menaxhimin e mbetjeve, lëvizshmërinë, dixhitalizimin dhe sa e sa shumë projekte të tjera në shërbim dhe në respekt për mjedisin”, tha ai, duke shprehur bindjen se për 98-vjetor, Tirana do të jetë një qytet akoma më i mirë.

“Do jetë një qytet me një shesh qendror nga më të bukurit në rajon, sheshin “Skëndërbej”, një Pazar të ri të mbuluar, që do jetë një qendër turistike dhe rekreacioni, me transport publik modern dhe me shumë standarde të tjera që po i arrijmë të gjithë bashkë. Por ashtu sikurse ka treguar historia, puna në Tiranë nuk mbaron kurrë”, përfundoi Seferi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme