Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, sapo ka mbyllur një studim mbi ngarkesën e punës në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Shkaku kryesor i vonesave, pohojnë studiuesit, është mungesa e gjyqtarëve, dhe si zgjidhje shihet dyfishimi i trupës gjyqësore.
Vonesat gjyqësore në Apelin e Tiranës janë thelluar më tej në vitin 2022 krahasuar me vite të mëparshme dhe me vitin 2016, kur nisi reforma gjyqësore.
Nga studimi mbi Gjykatën e Apelit të Tiranës i Qendrës INFOÇIP doli se vitin e kaluar kohëzgjatja mesatare e shqyrtimit gjyqësor për çështje civile themeli ishte 1 mijë e 118 ditë ose rreth 3 vjet, kur në vitin 2016, ky tregues ishte rreth 1 vit, pra u përkeqësua me gati 3-fish.
Ndërsa kohëzgjatja mesatare e shqyrtimit gjyqësor në 2022 për çështje penale themeli ishte 635 ditë ose 1.7 vjet, kur në vitin 2016, ky tregues ishte sa gjysma, ose u përkeqësua me gati dyfishin e kohës.
Evadimi i dosjeve gjyqësore gjatë vitit 2022 pësoi një përkeqësim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2016, kur nisi reforma gjyqësore, thotë Gert Shella, drejtuesi Qendrës INFOÇIP.
Gjykata e Apelit në kryeqytet shpalli 1 mijë e 560 vendime për çështje themeli dhe civile, por ky numër është 3 herë më i ulët se ai i vitit 2016, kur u morën 4 mijë e 625 vendime.
“Këto tregues janë shqetësues edhe në kuptimin historik. Nuk kemi qenë kurrë më keq, për sa u takon vonesave dhe afateve. Treguesit kapin rekordin më të ulët historik, dhe të papritur, nëse mbajmë parasysh se një nga qëllimet kryesore të reformës në drejtësi ka qenë dhe është eliminimi i zvarritjeve të qytetarëve në dyert e gjykatave”, thotë zoti Shella.
Vonesat janë të pranishme si në shqyrtim ashtu edhe vendimin gjyqësor, apo në zbardhjen zyrtare të tij.
Kohëzgjatja mesatare e arsyetimit të vendimit në 2022 llogaritet në 60 ditë dhe është përkesëuar në afro pesëfish, sepse në 2016 ky tregues ishte 18 ditë, thuhet në studimin e Infoçip.
Për shkak të procesit të vetingut, gjatë vitit 2022 Gjykata e Apelit në Tiranë funksionoi me 6 gjyqtarë në pjesën më të madhe të kohës me një ngarkesë mesatare 553 çështje të përfunduara për secilin.
Disa prej tyre kanë patur ngarkesë më të madhe për shkak të specifikave si masat e sigurimit, të cilat ishin jo të pakta.
Gjatë 2022 u morën 1149 vendime për masa sigurimi, 119 urdhëra mbrojtje, 259 njohje vendimi i huaj dhe 230 pezullime dhe rivendosje.
Në fund të vitit 2022 Apeli i Tiranës kishte një stok prej afro 19 mijë çështje gjyqësore, ndërsa po i shtohen edhe rreth 10 mijë çështje të tjera nga 5 Apelet tashmë të mbyllura.
Për të gjithë këto afro 30 mijë çështje do të duheshin mbi 4 vjet punë dhe vendime të përditshme gjatë gjithë vitit nga 24 gjyqtarët e apelit.
Kjo trupë, sipas ekspertëve, minimalisht duhet dyfishuar, para se gjykata të mbingarkohet më tej nga proceset, që po mblidhen nga 5 Apelet e tjera të mbyllura prej hartës së re gjyqësore.
“Gjykatat shqiptare nuk janë plotësuar me gjyqtarë. Pa gjyqtarë është e pamundur të përballet ky numër kaq i madh i çështjeve gjyqësore, dhe nuk ka asnjë rregull magjik, veçse të plotësohen me gjyqtarë gjykatat tona. Në 2025 do të ishte fat i madh nëse arrijmë të 50 gjyqtarë në Apel. Në 2026 pritet që Shkolla e Magjistraturës të sjellë në sistemin gjyqësor prurjet e nevojshme, ndërsa aktualisht Apeli po punon me afro një të tretën e trupës së nevojshme”, thotë zoti Shella.
Situata është bërë edhe më shqetësuese sa i takon tejkalimit të afateve të arsyeshme gjyqësore. Ky afat u shkel për 72 për qind të çështjeve civile të themelit për të cilat u mor vendim.
Kjo shifër përbën një rekord historik negativ, vërejnë ekspertët e INFOÇIP, dhe është përkeqësuar me 10 pikë përqindje në krahasim me vitin 2021.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dënoi Shqipërinë në vitin 2022 për shkeljen e afateve të arsyeshme gjyqësore lidhur me një çështje, që u ankimua atje.
Kjo, thonë ekspertët, do të përbënte një faturë të shtrenjtë për shtetin shqiptar, nëse ankimimet do të vazhdonin nga qytetarë të tjerë qoftë edhe për tejkalimin e afateve të arsyeshme të gjykimit, ndërsa ligjet parashikojnë deri në 1 mijë dollarë dëshpërblim për çdo vit vonesë.
Studimi më i fundit i INFOÇIP për Apelin e Tiranës gjatë vitit 2022 vëren se pothuaj gjithë shifrat e veprimtarisë së saj janë përkeqësuar vazhdimisht nga viti në vit, duke nisur nga viti 2016.
Analiza po vazhdon edhe për 5 Apelet e tjera, ndonëse ato nuk ekzistojnë më, dhe janë shkrirë me atë të kryeqytetit pas miratimit të hartës së re gjyqësore, por ngarkesat e prapambetura të çështjeve të tyre do t’i mbivendosen Apelit të vetëm në kryeqytet./voa/