Google ADS

“The Indipendent”: Tirana, transformim befasues

20:44 | 14 Mars 2019
Trina Galanxhi

Gazeta më e njohur britanike “The Indipendent” e liston Tiranën në krye të listës së qyteteve që duhen vizituar për 2019. Në artikullin e gazetarit Ryan Chatterton, shkruhet se kryeqyteti shqiptar ka pësuar një transformim befasues, veçanërisht katër vitet e fundit.

“Transformimi i kryeqytetit shqiptar nuk është gjë tjetër veçse befasues gjatë katër viteve të fundit, e lëre më dekadën e kaluar”, thotë gazeta britanike. Më tej, nënvizohet se Tirana është një qytet i gjallë dhe i zjarrtë, ku bie në sy jeta e natës dhe klubet në zonën e bllokut.

“Ushqimi është shumë i shijshëm dhe i lirë. Qendra e qytetit është e gjallë dhe ngazëllyese, me shumë jetë nate. Plus, koha është me të vërtetë fantastike. Si një nomad dixhital, shpesh duke qëndruar në vende për tre ose më shumë muaj, unë e kam shtuar zyrtarisht Tiranën në listën time të qyteteve më kryesore për qëndruar në 2019”, nënvizon Ryan Chatterton.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përmirësimit të infrastrukturës këto katër vite, ku padiskutim transformimi i sheshit “Skënderbej” ka tërhequr jo pak vëmendjen e gazetarit britanik.

“Kafenetë, baret dhe restorantet nuk janë të vetmet që mund të transformojnë një qytet: Tirana gjithashtu ka parë investime të konsiderueshme në projektet e infrastrukturës publike.

Një shembull primar është rizhvillimi i sheshit kryesor, Sheshi “Skënderbej”, i cili përbëhej nga një rrethrrotullim i madh që rrethonte një lëndinë të vogël dhe një statujë të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sipas të cilit është emërtuar sheshi. Nuk kishte shumë për të parë.

Por, sot është kthyer në një hapësirë të gjallë publike. I stërmbushur nga këmbësorët dhe i shtruar me mijëra gurë të mrekullueshëm, ndriçim elegant dhe pemë, e shkurre me shije, është një vend tërheqës për evenimente, siç është transmetimi i Kupës së Botës 2018, i cili tërhoqi mijëra tifozë për të parë çdo ndeshje”, thotë “The Indipendent”, teksa nënvizon se imazhi i shumë viteve më parë është shumë larg nga realiteti i Tiranës së sotme moderne.

Pasi tregon për pushtimin, luftërat, izolimin, si edhe rrëgjimin postkomunist apo luftën civile, Ryan e pranon se kishte krijuar një mendim të gabuar për Shqipërinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme