Tentuan të kalojnë 125 mijë euro të padeklaruara, arrestohet dy drejtuesit e autobusit të linjës Bari-Durrës

15:46 | 21 Shkurt 2023
A. B.

Falë kontrolleve dhe bashkëpunimit efikas mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve doganore, si dhe inteligjencës informative u godit në hyrje të portit të Durrësit një tjetër rast rast i mosdeklarimit të një shume të madhe eurosh.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Linja” dhe sekuestrohen 125,050 euro.

Policia njofton se ka arrestuar dy drejtuesit e autobusit të linjës Bari-Durrës.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe me autoritetet doganore, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu edhe në hyrje, në portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi i linjës Durrës-Bari-Durrës, që drejtohej nga shtetasit D. M., 53 vjeç, banues në Vlorë dhe J. O., 31 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit në autobus, poshtë 2 sediljeve, u gjetën të ngjitura me natriban 67,460 euro.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit D. M. iu gjetën 9 500 euro, ndërsa shtetasit J. O. iu gjetën 48,090 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 125,050 euro.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. M. dhe J. O., për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme