Ashtu sikundër e deklaroi sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sa me ironi po aq edhe me humor, Ardi Veliut iu sos kandili në krye të Policisë së Shtetit, pas një periudhe të errët ku ai demonstroi veset më të këqija modelit se si nuk duhet të jetë kreu i trupës që kujdeset për rendin dhe sigurinë publike në Shqipëri.
Po kush do të jetë pasuesi i tij në krye të Policisë së Shtetit? Sikundër Lapsi.al ka raportuar prej mesditës së sotme, emri që pret thjesht zyrtarizimin nga qeveria është ai i Gledis Nanos, kreut të Departamentit të Antiterrorit.
Me një përvojë prej 17 vitesh në Policinë e Shtetit, 40-vjeçari me origjinë nga Skrapari do të ngjitet në majë të piramidës së uniformave blu. Që prej kohës kur u emërua në krye të Antiterrorit, kredencialet e Gledis Nanos janë rritur.
Jo më kot ai mori në verë të këtij viti edhe një vlerësim prej amerikanëve, me të cilët ka pasur një bashkëpunim të gjatë dhe të ngushtë gjatë ushtrimit të detyrës. Ambasada amerikane në Tiranë publikoi fotot e dekorimit shoqëruar me vlerësimin për Gledis Nanon, për merita të veçanta dhe ndihmën e dhënë për stafin e sigurisë së ambasadës. Me këtë rast pati edhe një ceremoni për Gledis Nanon, si prelud i asaj që pritej të ndodhte në këtë vjeshtë. Për shkak të detyrës ai ka pasur një rol aktiv edhe në riatdhesimin e shqiptarëve prej kampeve në Siri. Ka udhëtuar bashkë me Ramën dhe ministrat e Brendshëm, Lleshaj e Çuçi, në Liban. Në krye të Antiterrorit ai përfundon kështu një cikël gati 5-vjeçar si drejtues edhe i operacioneve të tjera delikate. Kujtojmë këtu për shembull dëbimin e diplomatëve iranianë apo rusë nga vendi jonë.
Dosja e famshme e “Imamëve” është një tjetër çështje e hetuar prej tij. Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico Virginia. Në dukje deri këtu le të themi që ka një karrierë të mirë dhe kredenciale të përshtatshme për të qenë në krye të Policisë së Shtetit.
Problemi është nëse Gledis Nano do t’i nënshtrohet apo jo vullnetit politik të Edi Ramës për të zbatuar ligjin, për të luftuar krimin e organizuar dhe për të çuar para drejtësisë këdo që abuzon. Koha deri më tani ka treguar se drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë qënë vasalë të Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, ushtarë të bindur të tyre deri në neveri, jo gardianë të ligjit sikundër duhet të jenë.
Përballë një prove të tillë do të jetë natyrisht edhe Gledis Nano nëse nesër merr firmën për të drejtuar Policinë e Shtetit ashtu sikundër thonë të gjitha burimet për Lapsi.al. Sidoqoftë zor të besosh se do të kemi një kryepolic të pandikuar nga partia-shtet.
Peshku është qelbur nga koka dhe sado integritet apo “gjak i ri” të vijë në krye të Policisë së Shtetit, mos prisni të këtë të papritura. Ndoshta nuk do të shohim më shfaqje të shëmtuara si ajo e Ardi Veliut që demaskonte për “çështje morali” nënën e një të mituri, por vetëm kaq.
Beteja me krimin në Shqipëri bëhet gjithnjë e më e pamundur kur nuk ka një vullnet politik për ta luftuar atë. Rama ka treguar në këto 8 vite të pushtetit të tij se nuk e ka këtë vullnet. Dhe ndryshimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është thjesht një lëvizje e radhës e tij që nuk duhet të entuziasmojë askënd./Lapsi.al/
Big Brother Vip Albania, ja ndryshimet që do të ndodhin
Assesi të këndellet City, dështon të fitojë edhe ndaj Feynor...
Kryeministri libanez u bën thirrje palëve të zbatojnë dhe t&...
ShBA-ja dhe Franca mirëpresin armëpushimin Izrael-Liban
Arsenal, Atalanta dhe Leverkuseni fitojnë me debakël ndeshje...
Presidenti izraelit: Marrëveshja e armëpushimit me Libanin d...