Të mos shkosh te doktori dhe dentisti për të kursyer para, shqiptarët të parët në Europë

09:46 | 29 Gusht 2018
Arbresh.info

“Të kemi shëndetin!”, mesa duket është vetëm një shprehje për shqiptarët. 41% e tyre kanë shtyrë vizitën ose nuk kanë shkuar fare te mjeku për të kursyer, përqindja më e lartë në të gjithë Europën.

Situata është më keq për sa i përket kujdesit ndaj dhëmbëve, gjysma e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se nuk kanë shkuar fare ose kanë vonuar një vizitë te dentisti. Të dhënat janë publikuar në Anketën e Cilësisë së Jetës të kryer nga Komisioni Europian.

Edhe në raport me vendet e tjera fqinje, të cilat janë kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, diferenca është e lartë. Pas Shqipërisë, të anketuarit në Maqedoni dhe në Mal të Zi të cilët nuk kanë shkuar te doktori për të kursyer janë 25% e të pyeturve. Ndërsa në Serbi, 22% e të pyeturve kanë deklaruar se nuk kanë shkuar te mjeku për të kursyer. Ndër vendet kandidate, Turqia ka përqindjen më të ulët, ku 19% e të pyeturve kanë pohuar.

Kush ka më pak të ardhura, lë shëndetin të fundit

Thonë se para shëndetit, paraja nuk ka rëndësi. Megjithatë 70% e individëve me të ardhura të ulëta në Shqipëri heqin dorë nga vizitat nga mjeku për të kursyer. Në Anketën e Cilësisë së Jetës, të anketuarit janë grupuar në katër kategori (nga 1 në 4) referuar të ardhurave të tyre, ku Grupi 1 janë individët me të ardhura më të ulëta dhe grupi 4, individët me të ardhura më të larta.

Në vendet e e rajonit, përqindja e individëve më të ardhura të ulëta që nuk kanë shkuar te mjeku për të kursyer është shumë më e ulët, ndërsa në Malin e Zi, përqindja është edhe më e ulët se sa tek individët me të ardhura të larta.

Sipas Anketës së Cilësisë së jetës, vetëm 12% e individëve me të ardhura të ulëta në Malin e Zi nuk kanë shkuar te mjeku për të kursyer para. Në Maqedoni, vetëm 34% e të pyeturve e grupit me të ardhura më të ulëta deklaruan se nuk shkuan te mjeku për të kursyer, 39% në Serbi dhe 29 në Turqi.

Ndërsa për sa i përket individëve që i përkasin grupit të katër të të ardhurave, Shqipëria ka përqindjen më të ulët. Vetëm 12 për qind e individëve me të ardhura të larta nuk shkuan te mjeku për të kursyer. Në vendet e tjera kandidate për tu anëtarësuar në BE, përqindja e individëve më të ardhura të larta që nuk shkuan te mjeku për të kursyer para varjon nga 20-25%.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme