Google ADS

Të huajt të fiksuar pas Beratit, në 3 muaj e vizituan afro 3000 turistë

18:26 | 12 Prill 2023
K.B

Pas futjes në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Berati ka njohur një zhvillim të madh në sektorin e turizmit.

Qindra shtëpi janë kthyer në hotele dhe hostel për turistët që vizitojnë qytetin dhe rrethinat. Përveç pikave turistike në qytet, mundësitë për aktivitete si hiking apo dhe rafting janë të shumta.

“Berati doja të thosha që është një nga qytetet më të rëndësishëm për sa i përket ofertës turistike ka shumë për të ofruar dhe është një nga qytetet që kërkohet më shumë nga turistët. Berati është shumë i famshëm për arkitekturën, kjo është gjëja kryesore pse turistët vijnë. Përveç kësaj, ne kemi dhe ushqim shumë të mirë. Gjithashtu, natyra e Beratit është shumë e bukur, mund të përmendim parkun Kombëtar të Tomorit , Malin e Tomorit i cili përbëhet nga një sërë pikash atraktive”, thotë Isuf Braho, guidë turistike.

Turistët e huaj e frekuentojnë më shumë, madje operatorët turistikë theksojnë se ata nuk janë më ditore, por qëndrojnë më gjatë.

“Vetëm 60 km larg ne kemi kanionet e mrekullueshme të lumit Osum të cilat ofrojnë për të gjithë aventurierët rafting në kanione, eksplorim kanioni në këmbë edhe me not. Turistët nga e gjithë Europa vijnë dhe rezervojnë më shumë se një apo dy net në Berat pasi alternojnë shumë bukur sportet e aventurës me hiking në malin e Tomorit”, shprehet Alma Spathara, operatore turistike.

Në Berat gjen turistë nga e gjithë bota, të cilët e preferojnë qytetin dhe mundësitë që ofron.

“Jemi për herë të parë në Berat, është vend shumë i bukur. Kemi ecur përgjatë lumit, shtëpitë janë shume te bukura, kemi provuar dhe ushqimin, ishte fantastik”, thonë disa turistë nga Argjentina.

Të dhënat nga drejtoria e Turizmit tregojnë se vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2023 janë afro 3000 turistë të huaj që kanë vizituar Beratin. Ky numër mendohet të jetë edhe më i lartë, pasi një pjesë e tyre nuk regjistrohen në zyrat e informacionit për të lënë shenjë./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme