Google ADS

Task- Forca për mbrojtjen e ujërave detare, liqeneve dhe lumenjve, qeveria përcakton pagat dhe shpërblimet

23:16 | 7 Prill 2024
D.H

Qeveria e Shqipërisë, ka miratuar strukturën e pagës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve të Task-Forcës për Monitorimin, Inspektimin dhe Marrjen e  Masave për Mbrojtjen dhe Përmirësimin e Infrastrukturës për Trajtimin e Ujërave të Ndotura që Shkarkohen pranë ose në Ujëra Larëse në Zonat Bregdetare, ose në Bregun e Liqeneve e të Lumenjve.

Elementet përbërëse të pagës bruto mujore të nëpunësve të “Task- Forcës”, (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi dhe shtesa për nivelin e kualifikimit) për secilën klasë të përcaktuar, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.

Shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) të nëpunësve të “Task-Forcës” shkojnë nga 70 mijë lek për drejtuesit, 50 mijë për përgjegjës dhe inspektorë në terren, si dhe 30 mijë për specialistët.

“Trajtimi me page dhe shtesa mbi page për nëpunësit e “Task-Forcës”, sipas këtij vendimi, do të vazhdojë   sipas afateve të përcaktuara për funksionimin e saj, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 6, të aktit normativ nr. 8, datë 28.12.2023, të Këshillit të  Ministrave,  “Për marrjen e masave urgjente, për   mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse”.”, thuhet në vendim.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, do të përballohen nga fondet e miratuara në tavanet buxhetore për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë vit, në programin “Furnizimi me ujë dhe kanalizime” dhe fillojnë nga data e emërimit të nëpunësve në detyrë. /rtsh.al/

Të ngjashme