Google ADS

Takimi me Lu, PD: Basha shprehu kundërshtimin kundër zgjedhjes së kryeprokurorit

15:39 | 20 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike thotë se në takimin që Lulzim Basha pati me Donald Lu këtë të mërkurë, kreu i demokratëve i ka përcjellë ambasadorit amerikan kundërshtimin e prerë për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Në deklaratën e shpërndarë thuhet se “Basha bëri të qartë se mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga Parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin”.
Në takim raportohet se “Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën”, shkruan Top Channel.

“Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim”, thuhet njoftimin e PD.

Zyra e Shtypit shton se “Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të”./Top Channel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme