Prokurori i Përgjithshëm nuk pranoi ta takonte ish -ministrin e Brendshëm të Edi Ramës.
Saimir Tahiri i kërkoi ta priste në zyrë, duke përsëritur një praktikë që e ka bërë më parë kur është akuzuar për lidhje me krimin. Ka mbajtur konferenca për shtyp pas daljes nga zyra e kryeprokurorit. Është sjellë si “shembull” që s’e pengon drejtësinë dhe që i vihet asaj në dispozicion vullnetarisht.
Deri dje kryeprokurori ia mbante derën hapur, edhe pse kuptohej që lëvizjet e Tahirit ishin politike dhe prokuroria po përdorej prej tij për këto qëllime.
Por deri dje, Adriatik Llalla nuk kishte në dorë dosjen e zezë të Habilajve që përmendin miliona euro që i japin Tahirit, të vjela nga trafiku i kanabisit. Me “thasët që i ngarkojnë vetë shefat e policisë”, thotë Moisi Habilaj në një nga përgjimet, një tjetër akuzë për Tahirin.
“Në një muaj ka bërë 5 milionë euro. Nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale. Çfarë ka ai më shumë se ne?”. Ata që flasin në këtë mënyrë për ish -ministrin janë kushëriri i tij Moisi Habilaj dhe miku i tij Sabaudin Çelaj.
Sot këto përgjime i ka në dorë edhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ai ka në tryezë hetime serioze, të nisura prej vitit 2013 për një prej grupeve më të mëdha të narkotrafikut, që furnizonte me kanabis klane mafioze në Siçili.
Ky grup ka përdorur në këtë aferë kriminale edhe makinën private të ministrit të Brendshëm të asaj kohe për të dërguar drogë nga Shqipëria në Katania, shkruan lapsi.al.
Adriatik Llalla e shmangu sot Tahirin, duke u distancuar publikisht prej tij, nga një person që tani është përfshirë në hetimet e antimafias italiane.
Edhe nga PD iu kërkua publikisht që të mos e priste.
“Faktet dhe provat tronditese te lidhjes se Edi Rames dhe Saimir Tahirit me mafian e droges dhe armeve jane para syve te cdo shqiptari. I bej thirrje Prokurorit te Pergjithshem te mos takohet me te dyshuarin Saimir Tahiri po te veproje pa vonese per ta vene ate para pergjegjesise penale”, deklaroi Lulzim Basha.
Por Llalla nuk qe i vetmi që e la Tahirin në fatin e tij.
Atij ia ktheu shpinën edhe njeriu që e ngjiti në atë detyrë dhe e mbrojti për 4 vjet me radhë teksa opozita e akuzonte si personin që drejtonte të gjithë trafikun e kanabisit.
Përballë hetimeve serioze nga Italia, Tahirin e la në baltë edhe Edi Rama.
Deklarata e Ramës, e bërë nga Shkupi, ishte e ngjashme me atë që thoshte dikur përpara se të prangosej kryebashkiaku i tij i Vlorës, Shpëtim Gjika.
“Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve! Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet. Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie. Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”
Saimir Tahiri doli më i vetmuar se kurrë para publikut, në një tjetër përpjekje për të pastruar figurën nga akuzat e rënda që vijnë përtej Adriatikut. Ai përmendi disa herë familjen e tij, duke krijuar një situatë dhembshurie.
Me sytë gati në të lotuar sa nga tymi i krijuar nga paqartësia se çfarë e pret nga hetimet, por më shumë nga zhgënjimi se u la të përballet fillikat me opozitën që është zgjuar më agresive se kurrë dhe me një dosje voluminoze të Italisë, ai gjeti forcën për të thënë se s’pret të mbrohet nga askush, as nga kryeministri.
“Unë nuk kërkoj nga askush as të më besojë dhe aq më pak të më mbrojë publikisht. Më së pari nga kolegët e partisë, në parlament ose jo, në qeveri ose jo dhe nga kryeministri”.
Zëri i doli i mbytur. Fjalët iu ngatërruan disa herë në tekstin që kishte parapërgatitur. Kokën e ngriti me vështirësi deri në nivelin e dritës së kamerave. Pranoi, në përpjekje për të gjetur mirëkuptim, se kishte gabuar që kushërinjve të largët u kishte shitur makinën, çka e kishte refuzuar më parë si gabim.
Ai e di se askush s’mund ta mbrojë nga një hetim i huaj, se i duhet të përballet me drejtësinë pa e pasur më privilegjin dhe pushtetin e Ministrit të Brendshëm, se Edi Rama është i shtrënguar që kësaj here të mos mbajë anën e tij dhe se nuk do ta ketë më në krah si dikur kur bëheshin bashkë për të sulmuar e kërcënuar prokurorë e gjyqtarë vendas, që kishin nisur të hetonin atë dhe “besnikët” e tij në Policinë e Shtetit. Sepse hetimet nuk po i bëjnë prokurorët e gjyqtarët që u hetonte vilat, por partnerët që për drogën e mbjellë në kohën e Tahirit kanë shpenzuar energji e para si asnjëherë më parë.
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?