Sulmi në Pragë, Hasani: Nuk ka shqiptarë të lënduar, solidarizim me miqtë çekë në këtë moment

21:24 | 21 Dhjetor 2023
E.G

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka shprehur ngushëllimet për sulmin me armë në një universitet në Pragë, ku mbetën të vrarë 15 persona.

Me anë të një postimi në “X”, Hasani thotë se Shqipëria solidarizohet me Çekinë në këto momente të vështira, shkruan Arbresh.info.

“Thellësisht i pikëlluar nga të shtënat tragjike në Pragë sot, që rezultuan në humbjen e disa jetëve të pafajshme. Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet e prekura dhe i uroj shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me miqtë tanë çekë në këtë moment të vështirë”, shkroi ai.

Më tej kreu i diplomacisë shqiptare bën të ditur gjithashtu se nga informacionet e deritanishme, nuk ka shqiptarë të lënduar nga ky sulm me armë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Pragë. Nga informacionet e deritanishme, nuk raportohet për të lënduar me shtetësi shqiptare”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Mbi 15 persona janë vrarë dhe 24 janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.

Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, ka qenë student i universitetit dhe sulmi ka qenë i paramenduar.

Trupi i pajetë i tij është gjetur në ambientet e universitetit.

LEXO EDHE:

Mbi 15 persona të vrarë si pasojë e sulmit në një universitet në Pragë

Të ngjashme