Në një kohë që Shqipëria pret vendimin e Këshillit Evropian për hapjen ose jo të negociatave me BE-në, si dhe në prag të 9 majit, Ditës së Evropës, kanë dalë gjetjet e para të një sondazhi që është zhvilluar gjatë muajit prill me 550 studentë nga 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës.
Sondazhi titulluar “Procesi i integrimit evropian të Shqipërisë në optikën e studentëve” është realizuar nga grupimi studentor ABC Tirana Club, i qendërzuar në fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, por me shtrirje dhe në shkolla të tjera të larta të vendit.
Bazuar në gjetjet e sondazhit, për studentët shqiptarë studimi jashtë vendit mbetet një dëshirë e zjarrtë. Pyetjes “pas diplomimit në Shqipëri, sa dëshironi të vijoni me studime të mëtejshme në vende të tjera?”, më shumë se gjysma, ose 55%, iu përgjigjën “shumë”, 24% pohuan “disi”, 9% “pak” dhe “aspak” 8%. Ndërkohë që 4% nuk dhanë përgjigje për pyetjen.
Për 484 studentë që iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së mësipërme, kishte dhe alterantiva: nëse dëshironin që studimet e mëtejshme t’i realizonin brenda vendeve anëtare të BE-së, në SHBA, apo një shtet tjetër. Shumica e tyre, 67%, ishin për brenda BE-së, 24% në SHBA dhe vetëm 9% në një shtet tjetër. Për këtë alternativën e fundit preferencat ishin për Britaninë e Madhe, Kanadanë, Turqinë dhe Kinën.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë studentët u pyetën “sa dëshironi që Shqipëria të jetë vend anëtar i BE-së?”, ku përgjigjet ishin dukshëm pozitive: 69% “shumë”, 18% “disi” dhe 4% “pak”. Vetëm 4% u shprehën se nuk dëshironin një gjë të tillë, kurse 5% hezituan të përgjigjen për pyetjen.
Pengesat e procesit të integrimit evropian
Pas pyetjes “me cilin vend anëtar të BE-së Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie më të ngushta?”, katër ishin shtetet më të preferuara: Gjermania 35%, Italia18%, Greqia 11% dhe Franca 7%.
“Niveli i lartë i korrupsionit” në vend dhe “performanca e papërshtatshme politike” janë zgjedhur më shumë si alternativa përgjigjeje për pyetjen mbi pengesën kryesore dhe ngadalësimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, me 81%, (respektivisht 40% dhe 41% e të pyeturve). “Niveli i lartë i krimit të organizuar” me 11% dhe “performanca e papërshtatshme e administratës publike” me 7%. Ndërkohë 1% e studentëve që specifikuan alternativën “tjetër”, nënvizuan mungesën e kulturës dhe injorancën.
“Sipas mendimit tuaj, cili është problemi më shqetësues në vendin tonë?” ishte një nga vlerësimet që u kërkohej studentëve në pyetësor. Problematika sociale, “varfëria” dhe “papunësia” kanë peshën më të madhe në përgjigjet e tyre, 40%, (përkatësisht 22% dhe 28%). Problem tjetër shqetësues ata shikojnë dhe “korrupsionin”, 22%, si dhe keqfunksionimin e shtetit ligjor, 19%. Zgjodhën “krimin e organizuar” dhe “krimin ordiner” 6%.
Për pyetjen “sa besim keni se brenda vitit 2018 hapen negociatat e Shqipërisë me BE-në?”, studentët duken se kanë treguar përmbajtje në përgjigje. Pjesa më e madhe, ose një në tre prej tyre, u shpreh “pak”, 17% “nuk kam besim” dhe 4% nuk dhanë përgjigje. Grupi i optimistëve për procesin ishte më pak se gjysma, ose 47%, prej të cilëve 29% u përgjigjën “shumë” dhe 18% “disi”.
Gjetjet kryesore do të qarkullojnë në print dhe online
Johan Muka, student i Ekonomikut dhe themelues i ABC Tirana Club, tha për Koha Jonë, se pas përpunimit të të gjithë të dhënave të sondazhit “gjetjet kryesore do të qarkullojnë në print dhe online, duke ua bërë të njohura vetë studentëve, por dhe grupeve të interesit, institucioneve dhe organizatave brenda dhe jashtë vendit”.
Realizimi i sondazhit në një rreze më të gjerë, duke përfshirë dhe universitete të tjera të vendit “mbetet një synim i ardhshëm për grupimin studentor ABC Tirana Club, pasi do t’i jepte një dimension tjetër kampionit, për rrjedhojë dhe gjetjeve të përftuara”, tha Muka.
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok