Dy nipërit dhe mbesa e Lef Nosit, pinjollët e familjes atdhetare, të lagjes Kala në Elbasan, që përjetuan kalvarin e burgjeve komuniste… Një histori e shkurtër e doktorit humanist të Elbasanit dhe fundi tragjik i të vëllait Vasili.
Në një fasadë në Tel-Aviv, që quhet “Muri i Nderit”, janë shënuar tre emra: Vasil Nosi, Adelina Nosi e dr. Nosi (Stiliano Nosi). Ata janë nderuar nga shteti izraelit, për ndihmën që dhanë, duke strehuar shtetas hebrenj në Elbasan, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Janë fëmijët e Grigorit dhe Eleonorës, familja atdhetare e lagjes “Kala” në Elbasan. Babai i këtyre tre shqiptarëve që na nderojnë në murin e nderit në Tela-Aviv, është Grigori, vëllai i Lef Nosit, një ndër figurat më të shquara të Shqipërisë së shekullit të shkuar.
Por këta tre shqiptarë që i japin nder kombit të tyre, janë përbuzur dhe më keq akoma, janë dënuar si armiq të popullit, gjatë diktaturës komuniste. Kur Lef Nosi u dënua me pushkatim nga regjimi komunist, në atë gjyq, u dënuan edhe disa familjarë e miq të tij. Ata e kishin ndihmuar të rrinte i fshehur, në përpjekje për ta shpëtuar nga regjimi komunist. Nipi i tij Stiliano ishte një ndër familjarët më aktiv që u angazhua për ta fshehur e shpëtuar Lef Nosit nga bishat komuniste.
Ja si e ka rrëfyer Adelina Nosi Kosturi, kohën kur u zbulua vendi ku fshihej Lef Nosi dhe si u dënuan njerëzit që e ndihmuan atë.
“Më 12 shkurt 1946, gjyqi ushtarak i Tiranës dënoi me vdekje Lef Nosin dhe me dënime të ndryshme, nga 6 në 4 vjet, për personat që ndihmuan që ai të fshihej. Vasil Nosi, Steliano Nosi, Marko Menahemi, Xhemal Farka, Fahrije Averiqi dhe Adem Samurri” ka rrëfyer Adelina Nosi Kosturi, motra e doktorr Stilianit.
Doktor Stialiani do të dënohej me pesë vite burg. Ndërsa i vëllai, Vasil Grigor Nosi u dënua me 6 vjet dhe atje ndërroi jetë në burg, për shkak të torturave.
Pas kryerjes së dënimit, doktor Stiljano u kthye në detyrë sepse Elbasani kishte shumë nevojë për të. Ai i shërbeu njerëzve të qytetit të tij, me humanizëm të rrallë. Vështirë se gjen shtëpi të Elbasanit, të para vitit 1984, ku të mos ketë shkelur doktor Stiliani.
Ndërkohë, doktor Stiliani përndiqej papushim nga regjimi komunist. Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar së fundmi të dhëna të Dosjes së Sigurimit, që rrëfen detaje të përndjekes së doktor Stilianit.
“Më 21.10.1949 është marrë në kontroll operativ 2B dhe 31.3.1984 në përpunim aktiv 2A “si agjent i mundshëm anglez”. Përpunimi nuk zgjati shumë, pasi doktor Nosi vdiq. Në shkurt 1980, Stiliano Nosi i është shprehur bashkëpunëtorit “Tomori”: Khomeini, për mendimin tim, është një Haxhi Qamil i dytë, si nga pikëpamjet fetare, ashtu edhe politike dhe ushtarake, s’ka si të jetë ndryshe… Ndërsa Haxhi Qamili mburrej se do të luftonte armiqtë e brendshëm, ashtu edhe të jashtmit, edhe Khomeini deklaroi se do të luftojë kundër SHBA-së e BS-së dhe reaksionit të brendshëm. Këto janë aventura”. Punëtori operativ vendos këtë shënim: “E dhëna ka vlerë operative, pasi Stilian Nosi ul shumë poshtë veprimtarinë revolucionare të Khomeinit dhe njëkohësisht, veprimtarinë patriotike të Haxhi Qamilit”. Iu dha detyra që të hapë biseda rreth luftës së popullit iranian dhe rreth Haxhi Qamilit, duke përdorur edhe veprat e Enver Hoxhës për të. Edhe pas vdekjes ndaj tij u ndërmor një veprim i shëmtuar, krejt i padëgjuar më pare”, shkruan Dervishi.
Në shkurt të vitit 1984, doktor Nosi ndërroi jetë. Ishte me stetoskop në dorë, duke vizituar pacientët e tij. Doktor Nosi është një ndër personalitetet më të rëndësishme të qytetit të Elbasanit. Është nderuar me titullin: Qytetar Nderi i Elbasanit./kujto.al
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...