Specialistët e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ishin të premten në Poliklinikën e Specialiteteve të qytetit të Shkodrës, në një seancë dhurimi vullnetar të gjakut, organizuar nga spitali rajonal, Kryqi i Kuq dhe shoqata Eko-Mendje.
Sezoni veror ka shtuar kërkesat për gjak për shkak të temperaturave të larta, aksidenteve rrugore dhe të sëmurëve, por edhe largimit të studentëve, të cilët janë edhe dhuruesit kryesor.
Mjekja e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Emirela Spahiu, thotë se gjaku është gjithmonë i nevojshëm dhe se ai, asnjëherë nuk mjafton, sidomos gjatë muajve të verës.
“Fëmijët talasemikë, të cilët janë kontigjenti numër një, janë rreth 600 fëmijë talasemikë në të gjithë Shqipërinë. Imagjinoni që këta fëmijë marrin gjak një herë në javë, ose një herë në dhjetë ditë. Kanë nevojë për një ose dy qese në muaj. Ku do ta gjejnë gjakun këta? Prandaj, të gjithë këto dhurime vullnetare që ne organizojmë, gjithë gjaku i dhuruesve vullnetarë shkon për fëmijët talasemikë. Janë edhe gratë shtatzana, të cilat mund të kenë nevojë për gjak gjatë lindjes, janë të sëmurët e hematologjisë. Pra, ka një numër kategorish që kanë nevojë për gjak” – u shpreh mjekja Spahiu.
Procesi i dhurimit të gjakut është i thjeshtë dhe nuk merr shumë kohë dhe përveçse shpëton jetë, ndihmon edhe vetë shëndetin e dhuruesit.
“Bëhet një pyetësor, nëse dhuruesi është mirë apo jo dhe pastaj bëhen të gjitha analizat. Qesja është sterile, ndaj nuk ekziston frika që kanë njerëzit. Prandaj unë ju them ‘Dhuroni gjak, shpëtoni një jetë’. Nëse sot ne kemi nevojë për ju, nesër ju mund të keni nevojë për ne”.
Me moton “Dhuro Gjak, Shpëto Jetë” Kryqi i Kuq Shqiptar, prej disa vitesh zhvillon në të gjithë degët e tij në Shqipëri një fushatë ndërgjegjësuese për dhurimin vullnetar të gjakut, si pjesë e misionit të tij humanitar.
Sipas mjekes Emirela Spahiu, dhuruesit kryesor vullnetar të gjakut janë studentët, ushtarakët, por edhe institucionet dhe organizatat joqeveritare. Megjithatë, numri i dhuruesve vullnetar është ende i ulët, në krahasim me nevojat që ka aktualisht shërbimi shëndetësor i vendit.
“Kemi një shifër tek rreth 1.92 për qind të nevojave të dhurimit vullnetar të gjakut. Duhet të shkojmë, si të gjithë vendet e tjera, që të jemi 100 për qind dhurues vullnetarë. Këto vite ne mbështetemi tek dhurimet familjare, të cilat janë të shumta, por po mundohemi që këta dhurues familjarë, nesër të vijnë si dhurues vullnetar”.
Sipas specialistëve te fushës së shëndetësisë, nevojat e Shqipërise për gjak janë 20 dhurime gjaku për 1000 banorë. Ndaj ata apelojnë për një ndërgjegjësim më të madh të komunitetit për dhurimin vullnetar të gjakut, një shërbim humanitar ky për të aksidentuarit, fëmijët talasemikë, pacientët e kirurgjisë apo të sëmundjeve të tjera./VOA
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4