SPAK shpall në kërkim ndërkombëtar ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla

15:20 | 8 Tetor 2021
A. B.

SPAK ka shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

SPAK i kërkoi Interpolit sot që të shpallë në kërkim ndërkombëtar ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i dënuar me dy vite burg.

Pasi policia nuk e gjeti në banesë, ish-zyrtari i lartë i drejtësisë shqiptare po kërkohej nga policitë lokale edhe pse është e ditur se ai ndodhet jashtë vendit.

Asnjë institucion nuk di të përgjigjet se ku gjendet ish-prokurori i përgjithshëm, ndonëse zëra të pakonfirmuar tregojnë se po kurohet në Zvicër e Hungari.

Gjykata e Posaçme e Apelit e shpalli fajtor për fshehje të pasurisë për tre raste dhe e dënoi atë me dy vite burgim më 22 shtator të këtij viti.

Ai është i vetmi zyrtar i lartë i drejtësisë që është dënuar në vendin tonë. Por, Adriatik Llalla nuk ishte i pranishëm mbasi sipas avokatit vuan nga probleme shëndetësore dhe po kurohet.

Ish prokurorit të përgjithshëm veç vendimit të fajësisë i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vitet e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.

Kujtojmë se Llalla ka qenë prokuror i përgjithshëm deri në fund të vitit 2017. /Top Channel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme