Google ADS

SPAK kërkon arrest shtëpie, gjykata jep sot vendimin për Sali Berishën

08:40 | 30 Dhjetor 2023
E.K

Ditën e sotme në orën 12:00 gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka pritet që të shpallë vendimin e saj nëse do të ashpërsojë masën e sigurisë për ta dërguar ish-kryeministrin Sali Berisha në arrest shtëpie. SPAK e ka kërkuar këtë pasi thotë se Berisha nuk ka zbatuar masën e detyrimit për t’u paraqitur caktuar në Tetor ndaj tij.

Ndaj organi i akuzës kërkon ashpërsim të masës në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore duke i hequr edhe të drejtën e kontakteve. Nga ana tjetër, avokatët kanë pretenduar se masa e parë ndaj Berishës është antikushtetuese sa kohë doli pa lejen e Kuvendit. Gjithashtu, ata konsiderojnë se kërkesa e SPAK për mbikëqyrje policore dhe mungesë të komunikimeve është jo ligjore.

Për këtë kishin paralajmëruar se të premten (29 Dhjetor) do të dërgonin një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Por Gjykata e Posaçme njoftoi se avokatët nuk e kishin bërë këtë brenda orarit zyrtar. Në një reagim për Tv Klan, avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi, tha se GJKKO së pari, duhet të informojë publikun pse nuk i vuri atyre në dispozicion një vendim që ata e konsideronin të domosdoshme për kërkesën e tyre për përjashtim.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie arrest shtëpie.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme