Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dha sot detaje mbi operacionin e organizuar një ditë më parë kundër një organizate kriminale e cila drejtohej nga një emër i njohur i botës së krimit, i shpallur që më herët në kërkim, Suel Çela. Njoftimi bën të ditur se grupi ishte përqëndrur në trafikun e kokainë nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë. Hetimi për këtë rast, çoi në lëshimin e 19 urdhërave të arrestit, dhe masave “detyrim paraqitje” për dy gazetarët e kronikës Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të ciët sipas Prokurorisë dyshohet të kenë marrë para nga Çela, për qëndrime që ata kanë mbajtur në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre.
Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës, ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”, ndërsa lënda narkotike nga vendet e Amerikës Latine përfundonte në tregjet europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Sule Çela, i konsideruar si kreu i organizatës ishte “përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe, ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.
Prokuroria e Posaçme deklaron se ka arritur të dokumentojë, një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2020, përpjekjet për vrasjen e dy personave po në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin 930 kg dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori, drejt vendeve europiane, në dhjetor të vitit 2020 dhe në janar të vitit 2021, si dhe “ushtrimin e ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias”.
Përveç anëtarëve të organizatës, urdhërat e arrestit kanë përfshirë dhe ish komisarin Dedan Gjoni, i arrestuar më herët, po për lidhje me organizata kriminale si dhe dhe ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën arrest shtëpie, për një episod tjetër. Sipas Prokurorisë së Posaçme “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”. Organizata, shfrytëzonte lidhjet me njerëz në polici dhe drejtësi, jo vetëm për të lehtësuar aktivitetin e saj, por dhe për të goditur rivalët e vet.
Dy gazetarët e njohur të kronikës, Artan Hoxha dhe Elton Qyno, për të cilët është dhënë masa “detyrim paraqitje”, dyshohet se po ashtu ndihmonin organizatën për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim dobësimin e pozitave të grupeve rivale. “Suel Çela, ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”, bën të ditur Prokuroria sipas së cilës “dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Hoxha dhe Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”.
Përsonat e përfshirë deri më tani në këtë hetim dyshohen për të paktën 9 vepra të ndryshme penale, nga vrasje në tentativë, trafik lëndësh narkotike, organizatë kriminale, korrupsion apo pastrim parash./voa/
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...