Në Tiranë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar detajoi sot akuzat për korrupsion ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.
SPAK tha se zoti Berisha kishte kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani.
Zoti Berisha i hodhi poshtë akuzat si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.
Hetuesit dyshojnë për veprat penale të “korrupsionit pasiv e aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim, si dhe pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale në bashkëpunim, kryer nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë gjatë privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
SPAK bëri sot të ditur se ish kryeministri Sali Berisha ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin, bashkëshortin e vajzës së tij, ndërsa ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte drejtpërdrejt edhe dhëndri i tij.
SPAK theksoi në njoftimin publik se si kryeministër Sali Berisha kreu veprime aktive në kontrolle administrative për të ushtruar presion dhe dha urdhëra konkretë për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor mes të tjerëve edhe të Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij. Po ashtu SPAK deklaroi se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.
Zoti Berisha i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar ato pa asnjë bazë dhe si sulme të ulëta, të mirëfillta politike nga kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij kundër meje dhe ndaluar familjarët e mi si kundërshtar politik, në momentin kur opozita ka nisur më e vendosur se kurrë betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit të plotë dhe politik, rikthimin e votës së lirë, dhe shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, do mund të frenojë, godasë aksionin opozitar”, tha zoti Berisha.
SPAK ka akuzuar ndërkohë zyrtarë të lartë të qeverisë socialiste, si ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, deputetë e ish deputetë, ish ministra e ish zëvendës ministra, bashkiakë e ish bashkiakë, ndaj të cilëve kryeministri Edi Rama është distancuar, duke u shprehur se gjithëkush duhet të përballet vet me drejtësinë për akuzat që u ngrihen dhe se Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt.
Në mbledhje të partisë së tij zoti Rama ka vërejtur se SPAK po ngre akuza vetëm ndaj zyrtarëve socialistë dhe nuk po akuzonte ish qeveritarë të PD-së për shkelje e abuzime të mëparshme, megjithatë ai ka theksuar se SPAK dhe organet e reja të gjyqësorit shqiptar janë fryt i një reforme të suksesshme në sistemin e drejtësisë, që e ndau këtë të fundit nga presionet dhe ndikimet politike.
Lidhur me çështjen e kompleksit Partizani, SPAK arrestoi mbrëmë në aeroportin e Rinasit, Jamarbër Malltezin, ndërsa Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë vendosi nën sekuestro preventive 16 pasuri të paluajtshme të Malltezit, 6 llogari të tij bankare si dhe kuotat e kapitalit themeltar të tij në tre shoqëri.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Kompleksi sportiv Partizani me 26 mijë metër katrorë, pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, për të cilin hetuesit dyshojnë se iu hap rruga përmes korrupsionit pasiv e aktiv nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi./voa
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?