Sot zgjidhet kryeprokurori i përkohshëm në Shqipëri

09:51 | 18 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e fundit parlamentare për vitin 2017.

Në këtë seancë, që nis në orën 10:00, do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm i Përkohshëm, i cili do të pasojë në këtë detyrë Adriatik Llallën, të cilit i përfundoi mandati.

Rendi i ditës së seancës plenare e hënë, parashikon në pikën 5 projektvendimin “Për caktimin e Prokurorit që do të ushtrojë përkohësisht funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm”.

Sipas njoftimit të Kuvendit, fillimisht do të shprehet komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe më pas janë parashikuar diskutimet e grupeve parlamentare, si dhe koha e votimit.

Por opozita prej dy ditësh ka paralajmëruar protestë përpara Parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e mazhorancës për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri vetëm me votat e saj.

Ditën e djeshme, PD dhe LSI shprehën qëndrimin ndaj seancës së sotme plenare, duke paralajmëruar debat të fortë në Parlament, shkruan gazeta Shekulli.

Në seancën e sotme, deputetët e opozitës më sa duhet do të jenë të pranishëm vetëm për të kundërshtuar këtë vendim të mazhorancës.

Sipas burimeve, deputetët e PD-së nuk do të lejojnë zhvillimin normal të seancës, duke bllokuar foltoren e Kuvendit, pasi sipas tyre, me këtë vendim shkelet Kushtetuta e vendit.

Pas vlerësimit të kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve për postin e Kryeprokurorit, tre favoritët janë Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme