Sot votimi për komisionet e vettingut

09:57 | 18 Prill 2017
M. A.

Kuvendi mblidhet pasditen e së martës(ora 18:00), në seancë plenare për ngritjen e dy komisioneve ad hoc për përzgjedhjen e kandidaturave për institucionet e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Rendi i ditës i seancës parashikon votimin e dy projektvendimeve per ngritjen e komisioneve ad hoc, respektivisht me nga 12 dhe 6 anëtarë, që do të përzgjedhin kandidatët për institucionet e rivlerësimit.

Një javë më parë, në një tjetër seancë të posaçme, Kuvendi miratoi krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc me 6 anëtarë për institucionet e vettingut. Parlamenti zgjodhi tre anëtarët e shumicës në këto komisione: Ulsi Manjën dhe Vasilika Hysin të Partisë Socialiste dhe Luan Ramën të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa u rrëzua kandidatura e Shpëtim Idrizit, e propozuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.Megjithë zgjedhjen e emrave të shumicës në këto komisione, ato nuk mund të jenë funksionalë për aq kohë sa opozita nuk sjell anëtarët e saj, e cila ka përfaqësim të barabartë me maxhorancën.

Ndërkohë, një tjetër çështje e pritshme në axhendën e Kuvendit është dhe zgjedhja e presidentit të Republikës. Të enjten Konferenca e Kryetarëve vendosi që më 19 prill, te zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme